Goditet grupi kriminal në Berat, sekuestrohen armë dhe drogë/ Si ranë në pranga 4 trafikantët

Goditet grupi kriminal në Berat, sekuestrohen armë dhe drogë/ Si ranë në pranga 4 trafikantët

11:42, 05/06/2023
A+ Aa A-

Në prangat e policisë kanë rënë 4 pjestarë një grup kriminal që merrej me shitjen në doza të kanabisit, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.

Sipas burimeve për SYRI-n, të arrestuarit janë, Jurgen Kollçaku,Gjergji Braha,Kleo Doko dhe Sherif Isaj.

Njoftimi i policisë/ Berat

Finalizohet operacioni policor i koduar "Vëzhgimi", pas një hetimi dymujor, me metoda proaktive, për dokumentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Goditet një grup kriminal që merrej me shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.

Kapen dhe vihen në pranga 4 pjesëtarë të këtij grupi kriminal.

Gjenden dhe sekuestrohen sasi lënde narkotike cannabis sativa, armë të ftohta dhe municion luftarak.

Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për disa shtetas që vepronin në kuadrin e grupit kriminal, për të shitur doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në zona të ndryshme të qarkut, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Berat dhe ata të Komisariatit të Policisë Kuçovë, kanë iniciuar një procedim penal në Prokurorinë e Beratit, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i një hetimi dymujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vëzhgimi”, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit J. K., 23 vjeç, Gj. B., 26 vjeç dhe K. D. 18 vjeç, të tre banues në Kuçovë, si dhe shtetasi Sh. I., 19 vjeç, banues në Berat.

Nga provat e siguruara nga ky operacion, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka caktuar ndaj këtyre shtetasve, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se vepronin në kuadrin e një grupi kriminal që merrej me shitjen në doza të lëndës narkotike cannabis sativa, në zona të ndryshme të qyteteve Berat dhe Kuçovë.

Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e këtyre shtetasve, u gjetën sasi lënde narkotike cannabis sativa, 3 armë të ftohta (2 thika dhe 1 përforcues grushti) dhe municion luftarak.

Vijojnë veprimet hetimore me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco