VIDEO-SYRI TV/ ‘Shkrihen’ 9 gjykata dhe 9 prokurori, mbeten vetëm 13 të Shkallës së Parë

17:15, 01/05/2023
A+ Aa A-

9 Gjykata dhe 9 prokurori rrethesh shkrihen nga data 1 maj. Pavarësisht zërave kundër deri në bojkote, implementimi i fazës së dytë të hartës së re gjyqësore nis nga 1 maj. Gjykata dhe prokurori pranë tyre si ajo e Tropojës, Kurbinit, Matit, Kavajës, Lushnjes, Përmetit, Pogradecit, Pukës dhe Krujës shkrihen. Ato kalojnë me juridiksion në qytetet e mëdha, që sipas juristëve është një shuplakë për jetën institucionale si dhe ndaj qytetarëve. Në korrik, implementohet faza e tretë e hartës së re gjyqësore, me shkrirjen e 4 gjykatave administrative ku do të mbeten vetëm 2.

Nga SYRI TV

1 maj e gjen sistemin e drejtësisë me 9 gjykata dhe po aq prokurori rrethesh më pak, pasi hyri në fuqi faza e dytë e hartës së re gjyqësore. 

Gjykatat e Shkallës së Parë që do të mbyllen janë e Tropojës, Kurbinit, Pukës, Matit, Krujës , Kavajës, Lushnjës, Përmetit dhe Pogradecit.

Së bashku me to shkrihen edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore. Kjo shoqërohet me zhvendosjen e trupave gjyqësore dhe përfaqësuesve të akuzës në institucionet e reja të drejtësisë. Ndërkohë, çështjet kalojnë për kompetencë në qytetet qëndrore.

GJYKATAT DHE PROKURORITË QË MBYLLEN

E Tropojës zhvendosen në Kukës

E Matit zhvendosen në Dibër

E Kurbinit zhvendosen në Lezhë

E Pukës zhvendosen në Shkodër

E Krujës zhvendosen në Tiranë

E Kavajës zhvendosen në Durrës

E Lushnjës zhvendosen në Fier

E Përmetit zhvendosen në Gjirokastër

E Pogradecit zhvendosen në Korçë.

Por në ato që mbyllen, do të mbeten të hapura sportelet për të depozituar paditë që më pas delegohen për gjykim dhe hetim në qytetet e që i kanë në juridiksion. Një nga qytetet që preket nga ky rifreskim është ai i Lushnjes, një rreth mbi 200 mijë banorë.

Janë mbi 2000 dosje të cilat do të gjykohen tashmë në Gjykatën e Fierit. Sipas avokatëve të cilët e kundërshtuan edhe me bojkot këtë hartë, kostot bien mbi qytetarët. Ndërkaq që prej muajit shkurt nuk njoftohen të interesuarit për proceset gjyqësore në Fier. Avokati Jurid Sharka thotë se numri i gjyqeve dhe dosjeve është tepër i madh dhe ngarkesa do të jetë humbje kohe për të i interesuarit

Mbi 400 procese në muaj për çështje civile e penale janë zhvilluar në muajin shkurt në gjykatën e Lushnjes që tashmë është e transferuar edhe zyrtarisht në Gjykatën e Fierit. Kryetari i Dhomës Vendore të Avokatisë në Lezhë Elton Laska u shpreh, se ai që mori vendimin për shkrirjen e Gjykatës dhe Prokurorisë së Kurbinit, ishte Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja. Ai listoi edhe disa nga pasojat që më së shumti sipas tij, do t’i vuajnë qytetarët.

Numri i dosjeve në Gjykatën e Pogradecit, është  600 ndërsa gjykimi i tyre do të vijojë në Gjykatën e Korçës. Avokatët në këtë qytetet ngrejnë problematikat e tyre.

Kujtojmë se faza e parë e implementimit të hartës së re gjyqësore, çoi në mbylljen e gjashtë gjykatave të Apelit në vend, duke u bashkuar në një të vetme me juridikion të përgjithshëm në Tiranë e cila ndodhet në kushtet e mbingarkesës alarmante me dosje. Për rrjedhojë u mbyllën gjykatat

GJYKATAT E APELIT QË U MBYLLËN

Gjykata e Apelit në Durrës

Gjykata e Apelit në Shkodër

Gjykata e Apelit në Korçë

Gjykata e Apelit në Vlorë

Gjykata e Apelit në Gjirokastra

Ndërkohë, faza e tretë dhe e fundit implementohet në korrik të këtij viti dhe parashikon reduktimin e të gjitha gjykatave administrative në dy. Një që do të jetë në Tiranë dhe një do të jetë në Lushnje.

GJYKATAT ADMINISTRATIVE QË SHKRIHEN NË KORRIK

Gjykata Administrative e Vlorës

Gjykata Administrative e Durrësit

Gjykata Administrative e Shkodrës

Gjykata Administrative e Korçës

GJYKATAT ADMINISTRATIVE QË MBETEN:

Gjykata Administrative e Tiranës

Gjykata Administrative e Lushnjës

Javën e kaluar, edhe një grup prokurorësh në rang vendi, i konsideruan lëvizjet jo paralele në radhët e tyre, si abuzuese, dhe në mospërmbushje të kritereve të reformës në drejtësi. Sipas tyre, lëvizje të tilla, shkaktojnë mungesë të barazisë dhe ndikon në karrierë e performancë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco