SYRI TV/ U fut në garë për tender te bashkia Tiranë, kërcënohet me jetë biznesmeni nga Cërriku

14:49, 10/04/2023
A+ Aa A-

Një biznesmen nga Cërriku është kërcënuar me jetë, pasi prishi balancat duke tentuar të marrë pjesë në tenderat e bashkisë Tiranë për furnizimin me lëndë drusore.  Pronari i kompanisë “Alcani” përfitues i 28 tenderave, 13 prej të cilave në bashkinë e Tiranës i ka vënë pistoletën në kokë administratorit të një tjetër kompanie, që kishte dhënë ofertë më të ulët në tender.  Agresorët fitonin fondet nga bashkia Tiranë dhe institucionet e tjera pa garë e me negocim të drejtpërdrejtë, por futja në garë e një tjetër kompanie, sillte probleme për ta. 

Nga SYRI TV

Tri persona janë vënë në prangat e policisë, pasi kërcënuan me vrasje një biznesmen nga Cërriku, duke i kërkuar të tërhiqet nga një tender në bashkinë e Tiranës. Të arrestuarit janë Shaqir Alcani, pronar i një kompanie për shitjen e lëndëve drusore në Kamëz, Edmir Boçi dhe Algert Alcani ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër shtetas, bashkëpunëtor i të arrestuarëve.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë vendosur pistoletën në kokë shtetasit Eral Myftaraj nga Cërriku, i cili kishte aplikuar të bëhej pjesë e një tenderi që kishte hapur bashkia Tiranë për blerjen e lëndëve drusore. Sipas policisë, të arrestuarit i kanë kërkuar biznesmenit nga Cërriku të tërhiqet nga gara, por ai nuk ka pranuar dhe ka denoncuar kërcënimet në polici.

Pas kësaj, policia ka vënë në pranga shtetasve Shaqir Alcani, Algert Alcani dhe Edmir Boçi. Nga hetimet e thelluara rezulton se Shaqir Alcani është biznesmen, që ka në pronësi kompaninë “Alçani SHPK”.

Nga një kërkim i thjeshtë në faqen e specializuar për tenderat publikë, rezulton se shoqëria “Alcani Shpk” ka fituar të paktën 28 tendera publikë me vlerë disa miliona euro. Por, 13 nga këto tendera, kompania e Shaqir Alcanit i ka fituar në bashkinë Tiranë, duke nisur prej vitit 2015, kohë kur në këtë bashki ka ardhur në detyrë Erion Veliaj.

Të gjithë tenderat që ka fituar kjo kompani në bashkinë e Tiranës, kapin vlerën e rreth 1.6 milionë eurove, ndërsa objekti i tyre i vetëm ka qenë blerja e lëndës drusore për nevojat e bashkisë.

Një tjetër detaj që vërehet në këto tendera është fakti se shumica e tyre, pra 8 nga 13, janë shpallur me flamur të kuq për mungesë konkurence apo janë dhënë me negocim të drejtpërdrejtë.

Pra, nga këto të dhëna duket sikur kompania “Alcani SHPK”, ka qenë e preferuara e Erion Veliajt gjatë 8 viteve, duke fituar çdo tender për blerje drush edhe kur ka pasur garë. Dhe duket se futja me ofertë e një oferte ekonomike nga kompania “Meteo” për një tender me vlerë 1 milionë euro për blerjen e druve nga bashkia Tiranë është bërë dhe shkaku i kërcënimeve të pronarit të kësaj kompanie nga drejtuesit e firmës “Alcani”. Ndërkohë, mbetet për t`u sqaruar nëse bashkia e Tiranës e ka favorizuar kompaninë “Alçani” në tenderat publikë, të cilës i ka dhënë në 8 vjet 13 tendera për blerje drush.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco