3 gra të vrara e 3 gra të plagosura në 33 minuta dhe 4 krime në familje në kufijtë e masakrës në 3 vite

3 gra të vrara e 3 gra të plagosura në 33 minuta dhe 4 krime në familje në kufijtë e masakrës në 3 vite

21:01, 01/03/2023
A+ Aa A-

Nga Elkier Bushkolaj

Vrasja në kufijtë e masakrës e dy grave familjes Hysa, plagosja e dy grave të tjera të së njëjtës familje, ekzekutimi i Etleva Kurtit dhe plagosja Marjana Gurakuqit ka ndodhur në harkun kohor të 33 minutave, teksa autori i këtyre krimeve është Ramazan Hutra, i dënuar në 2007 për vrasjen e gruas së tij 22-vjeçare. Vrasjet që tronditën sot Tiranën për nga dinamika dhe barbaria i ngjasojnë vetëm masakrës së Selenicës, e regjistruar në gusht të 2018, ku 24 vjeçari, Ritvan Zykaj, vrau 8 pjesëtarë të fisit të tij.  

Ekzekutimi me breshëri automatiku i tre grave në sy të fëmijëve të mitur dhe plagosja e tre grave të tjera, tregojnë se kemi të bëjmë më një vrasës serial të kalibrit më të rrezikshëm, që nuk njeh asnjë normë njerëzore dhe as zakonore.

Rekordet kriminale të Ramazan Hutrës përgjatë 2 dekadave dhe fakti që ai nuk ishte prapa qelisë dhe as në ndonjë spital psikiatrik, janë tregues i një sistemi të kalbur drejtësie dhe plogështisë  së institucioneve ligjzbatuese të vendit tonë. 

Divorcet vitet e fundit përbëjnë numrin më të madh të çështjeve gjyqësore në gjykatat shqiptare,  duke marrë “medalje ari, teksa “medalje argjendi” në raport me numrin e çështjeve gjyqësore marrin kërkesat grave shqiptare për “urdhër mbrojteje”  nga bashkëshortët, ish bashkëshortët apo dhe familjarët. 

Mjaftojnë këto të dhëna që janë publike në gjykata dhe numri i grave të vrara nga bashkëshortët ose ish bashkëshortët, për të kuptuar se goditja që ka marrë familja shqiptare dekadën  e fundit është fatale. 

Në harkun kohor të dy viteve  në Shqipëri janë regjistruar katër krime në familje, që për nga bilanci, pa frikë  mund të cilësohen masakra.

Në shkurt të 2020 Fatmir Koleci, do të vriste  ish-gruan e tij Esmeralda Filopatin, 36 vjeç dhe të vëllanë, Vledisionon vetëm 34 vjeç, në afërsi të banesës së tyre në Rrëshen në sy të fëmijëve të mitur të çiftit. Autoritet që ishin në dijeni të plotë të konfliktit dështuan të parandalonin krimin.  Koleci zgjodhi të vetëvritej me të njëjtën armë në banesën e tij në Zejmen të Lezhës. 

Mesditën e 30 gushtit 2022  Tirana do të tronditej nga vrasja e çiftit të bashkëshortëve, Dritan e Nora Muskurti në biznesin e tyre në zemër të kryqytetit. Autori i këtij krimi të rëndë ishte Arsen Muskurti, e ndonëse autoritetet ishin në dijeni të përplasjeve sërish dështuan të parandalonin tragjedinë. 

Ndërkohë po mbrëmjen e 30 gushtit 2022, Besnik Pjetri do të ekzekutonte me breshëri automatiku, ish vjehrrin e tij Pjetër Përjaku dhe të birin, Gent Përjaku në fshatin Grykë zezë të Lezhës. Shkak i konfliktit ishte divorci i Besnik Pjetrit më gruan e tij. Pas disa muajsh Besnik Pjetri u prangos në Kaçinar të Mirditës.  

Mesditën e kësaj të mërkure,  Ramazan Hutra, i dënuar më parë për vrasjen e ish gruas së tij në 2007, vrau në mënyrë makabre me breshëri automatiku, Mevlute Hysën, motrën e ish-bashkëjetueses dhe Hasime Dafku, të fejuarën e ish kunatit.  Ndërkohë plumbave nuk u shpëtuan as ish-bashkëjetuesja e tij Elena Hysa dhe nëna e saj Kujtime Hysa, që mbetën të plagosura rëndë. 10 minuta më pas ai finalizoi masakrën në Paskuqan me të njëjtën armë ekzekutoi  31 vjeçaren, Etleva Kurti,  teksa siparin e krimeve e kishte çelur me plagosjen me thikë të të dashurës së tij Marjana Gurakuqi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco