FOTO/ Kush kërkon ta varrosë të vërtetën e Xhoi Aoko?

FOTO/ Kush kërkon ta varrosë të vërtetën e Xhoi Aoko?

09:34, 26/02/2023
A+ Aa A-

Krimi ndaj 22-vjeçares nga Kenia, Xhoi Aoko është revoltues jo vetëm për fundin tragjik të një vajzë të re që jetonte e vetme në Tiranë, por edhe për përpjekjen e prokurorëve dhe policëve për ta mbyllur historinë.

Fakti që i dyshuari kryesor për vrasjen u mor në pyetje 6 muaj pas krimit është dëshmi e zvarritjes së hetimeve dhe e trajtimit të viktimës si një qytetare e dorës së dytë.

Policia njoftoi se 32-vjeçari Rodi Barçi, shoferi i kazinosë ku punonte Xhoi u thirr në komisariatin nr.1 në Tiranë këtë të shtunë, ndërkohë që trupi i masakruar i vajzës nga Kenia u gjet në 13 Gusht, vitin e kaluar.

E para që ka drejtuar gishtin ndaj 32-vjeçarit është shoqja e Xhoi Aoko, një vajzë tjetër nga Kenia, e quajtur Xhoi Brenda dhe që punonte në të njëjtën kazino me të. Që në 22 Dhjetor të vitit të kaluar, Xhoi Brenda tregonte në emisionin ‘Pa gjurmë’:

Image

‘Personi i vetëm për të cilin ajo më ka folur është shoferi. ‘Ai djalë po më përndjek për dy javë’. Kjo ishte e vetmja ankesë që ajo kishte’.

Xhoi Brenda tregoi se 22-vjeçarja kishte edhe një të dashur, një biznesmen, i martuar, i cili vinte rrallë në Shqipëri, por për të cilin nuk i fliste dot as policisë.

‘I kam thënë dhe policisë që nuk mund të flas shumë për të, sepse ai ishte një person shumë serioz dhe i rëndësishëm, shqiptar, por vinte rrallë në Shqipëri. Ai thjesht vinte në Shqipëri për 3-4 ditë dhe ikte. Dukej si biznesmen’ - ka treguar Xhoi Brenda.

Për dy meshkujt në jetën e Xhoit flet edhe nëna e saj Ruth Abonga. Madje ajo thotë se i ka takuar edhe shoferin e kazinosë, edhe biznesmenin.

‘Sipas tij (shoferit), gjatë kohës që ai ndiqte Xhoin nga pas, vajza ime po takonte njerëz të këqij. Si mund ta them? Xhoi ishte vajzë e shoqërueshme, i përshëndeste të gjithë. Sipas tij, Xhoi takonte një person me tatuazhe. Ai ishte i gatshëm që të më çonte për t’i parë këta njerëz, por unë nuk isha gati.

Një herë e mora në telefon dhe i thashë, ‘Alo, jam e gatshme. Me ço tek ajo zonë. Dua të shkoj tek ajo zonë tani që jam gati. Dua t’i shikoj nga larg!’, por ai m’u përgjigj duke më thënë, ‘Jo! Unë nuk të kam thënë që ata janë njerëz të këqij’. Pra, ai nisi ta ndryshojë historinë’ - është shprehur Ruth Abongo për Neës24.

Ndërsa për biznesmenin, të cilin e përshkruan si një mesoburrë të martuar, e ëma e Xhoit thotë se e ka takuar, por nuk mendon se ai është autori i vrasjes së saj.

‘E di që po takohej me dike. Atë biznesmenin e njoh, por nuk mund të them se ishte marrëdhënie! Sepse Xhoi më tha që e kishte takuar vetëm dy herë. Herën e parë ishte për një kafe dhe herën tjetër ishte jashtë Tirane. Kur vajza ime e ka takuar biznesmenin, ajo ishte me Xhoi Brendën. Ishte i martuar prandaj dhe nuk patën një marrëdhënie. Po, ata flisnin ndonjëherë rrallë, por vetëm si miq sepse ai udhëton shumë. Ai ka biznese edhe në vende të tjera’ ka treguar ajo.

Gjithçka në historinë e Xhoit duket të ketë ndodhur me vonesë. Trupi i saj, në grahmat e fundit të jetës u gjet me vonesë. I dyshuari kryesor për ngjarjen u mor në pyetje me vonesë. Drama e Xhoi Aoko doli me vonesë në media.

Sepse policia e mbajti të fshehtë historinë e saj.

Ishte këmbëngulja e gazetarëve për të njohur të vërtetën, denoncimet e nënës dhe shoqeve të saj, që nxitën reagimin e opinionit publik dhe vunë në lëvizje prokurorinë.

Image

22 vjeçarja nga Kenia ishte një vajzë e vetme, emigrante që punonte në Tiranë për t’i siguruar ca para nënës së saj. Ndoshta për këtë, prokurorë dhe policë e kanë neglizhuar zbulimin e të vërtetës.

Por nuk përjashtohet mundësia që pas kësaj historie të qëndrojnë njerëz me pushtet, reputacioni i të cilëve mund të cenohet. Ndaj bashkë me Xhoi Aokon kërkojnë të varroset edhe e vërteta e saj. /Lapsi.al

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco