SYRI TV/ Alda Klosi 'rrëzohet' në Apel, kërkoi masë më të butë se ‘arresti me burg’

13:27, 20/02/2023
A+ Aa A-

Ish-shefja e kabinetit të ish-ministrit Arben Ahmetaj do të qëndrojë në burg. Apeli me Juridiksion të Përgjithshëm rrëzoi kërkesën e Alda Klosit për masë më të butë, pavarësisht 3 argumenteve të së pandehurës. Avokati i Klosit deklaroi se qëndrimi në burg i ish-zyrtares është i padrejtë, teksa sqaroi përplasjen e deklarimeve të saj me të vëllanë mbi origjinën e parave.

Nga SYRI TV

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm e ka rrëzuar kërkesën e Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit të Arben Ahmetajt kur ky i fundit ishte ministër i Financave dhe zv.kryeministër.

Klosi kundërshtoi arrestin me burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, për deklarim të rremë para oficerit të Policisë Gjyqësore, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Për këto dy të fundit, avokati i Klosit, Ilirjan Muho, tha se nuk qëndrojnë.

Më tej avokati, sqaroi përplasjen e deklarimeve të Alda Klosit me të vëllanë, mbi origjinën e 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve në banesën e sanitares Rozeta Dobi. Klosi kishte pohuar se i ishin lënë në ruajtje nga familja e xhaxhait, ndërsa i vëllai, pretendoi se i kishte marrë hua nga një i njohur.

Muho tha se apartamenti dhe garazhi i sekuestruar pas arrestimit, nuk janë të Klosit, por të ish-bashkëshortit. Ai këmbëngul që sanitarja është person i pabesueshëm si dhe për faktin se banesa është vjedhur duke përjashtuar versionin e inskenimit.

Alda Klosi, vijon të jetë mohuese se nuk është poseduese e 500 mijë eurove të tjera të gjetura në tubin e aspirimit në banesën e Rozeta e Havier Dobit, pavarësisht se këta të fundit janë deklaruar se paratë janë marrë nga i njëjti person.

Klosi paraqiti si argument për masë më të butë sigurie, gjendjen e saj shëndetësore, dy fëmijët e mitur si dhe të ëmën e sëmurë.

Gazetar: F. Gjinaj   

Operator: M. Dervishi 

Montazhier: T. Foto

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco