Kosovë, banorët e Kodrës së Trimave kërkojnë siguri në rrugë

Kosovë, banorët e Kodrës së Trimave kërkojnë siguri në rrugë

08:18, 04/01/2023
A+ Aa A-

Banorët e lagjes Kodra e Trimave, përkatësisht të rrugës "Fahri Fazliu", kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste, duke kërkuar që në këtë rrugë të vihen pengesa për të shmangur aksidentet. Rasti i fundit kur në këtë rrugë humbi jetën një qytetar, ishte nata e 31 dhjetorit të vitit 2022, ku një këmbësor u godit nga vetura. Në këtë rrugë edhe vitin e kaluar por edhe vite të mëhershme nga aksidentet kishin humbur jetën edhe disa qytetarë të tjerë, njofton RTK.

Banorët e rrugës "Fahri Fazliu" në Kodrën e Trimave, të martën protestuan, duke bllokuar rrugën ku kishte humbur jetën i riu.

Ata kërkuan vendosjen e pengesave në këtë rrugë, pasi po thonë që vazhdimisht në këtë rrugë po ndodhin aksidente me fatalitet.

“Këtu çdo një apo dy javë ka aksidente, shkelje të këmbësorëve. Arsyeja që e kemi bllokuar rrugën është që të vendosen pengesat”, tha Lot Gashi, banor i kësaj lagjeje.

Edhe banorë tjerë të cilët kanë marrë pjesë në këtë protestë kanë kërkuar vendosjen e pengesave dhe patrullim më të madh të policisë në këtë rrugë, në mënyrë që mos të rrezikohet jeta e këmbësorëve.

Në këtë rrugë më 5 gusht të vitit 2022, kishte humbur jetën edhe një 19 vjeçar. Gjithashtu më 30 tetor të vitit 2022 nga një aksident ishte lënduar një person me motoçikletë. Më 12 maj të vitit 2021, po në këtë rrugë një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti trafiku. Në atë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete dhe një këmbësor.

Banorët, duke kujtuar këto ngjarje, u shpërndanë nga protesta të qetë, por me shpresë që autoritetet e nivelit lokal do të reagojnë me vendosjen e masave tjera në rrugë për të ulur rrezikshmërinë për qytetarët në këtë lagje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco