Përmbytjet/ Në Shkodër ka  mungesë energjie në disa zona, dhjetra hektarë tokë nën ujë

Përmbytjet/ Në Shkodër ka mungesë energjie në disa zona, dhjetra hektarë tokë nën ujë

23:30, 20/11/2022
A+ Aa A-

Banoret e Shkodrës i pret një natë e vështire. Qindra hektarë toke bujqësore janë përmbytur, ndërsa dhjetëra shtëpi janë të rrethuara nga uji. Evakuimet nisen që të dielën pasdite kur nisen edhe orët kritike të situatës e cila risolli për ata banorë situatën e para 11 viteve.

Orët në vijim pritet të jenë edhe me të vështira për zonën e nën Shkodrës, një pjesë e së cilës prej mëngjesit të së dielës është nën ujë.

Qarkullimi në disa zona është bllokuar, përfshirë dhe kalimin në urën e re të Bahçallëkut, pasi e vjetra u shemb e pjesët e saj rrezikojnë të përplasen me të.

Me prurje deri ne 4 mijë metra kub ujë në sekondë, hidrocentrali i Vaut të Dejës ka rritur shkarkimet, ndërsa bashkë me Komanin ndodhet afër kuotës maksimale edhe Fierza.

Për pasoje rruga pranë mbikalimit të Berdicës në hyrje të Shkodrës u bllokua për automjetet që në orët e pasdites.

Ekipet e emergjencës evakuuan dy familje, njëra prej të cilëve me anëtarë të sëmure të izoluara nga uji në lagjen Ajasëm të Shkodrës, ku varkat janë mjet qarkullimi. E po ashtu xhamia e Plumit që  është në rindërtim u rrethua nga uji.

Qindra hektarë toke bujqësore janë të përmbytura në Shkodër dhe në Vaun e Dejës, ndërsa dhjetëra banesa janë të rrethuara nga uji.

Edhe në Zadrime e Fushën e Torovicës në Lezhë, uji ka përmbytur dhjetëra hektarë toke e ka vështirësuar qarkullimin.

Në bashkitë verilindore, Pukë, Fushë Arrëz dhe Tropojë reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe dëmtime të rrugëve rurale.

Dhjetëra fshatra në të gjithë vendin janë pa energji elektrike si pasojë e dëmtimit të rrjetit shpërndarës ose stakimeve për efekt sigurie.

Përmbytje ka pasur edhe zonat bregdetare, në Spille në rrugët e qytetit te Durrësit dhe në Kavajë.

Autoritetet kanë pezulluar nxjerrjen në det të peshkarexhave, ndërsa në tragete ka pasur vonesa.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco