SYRI TV/ Malindi pranon gjykimin e shkurtuar, pati porositur 137 kg kokainë dhe u dënua me 3 vite burg

13:36, 19/11/2022
A+ Aa A-

Gentian Malindi që akuzohet se porositi 137 kg kokainë të kapur në 2019 në Portin e Durrësit, është tërhequr nga kërkesa e tij për gjykim të zakonshëm. Me pranimin e gjykimit të shkurtuar i hap rrugë një marzhi më të ulët dënimi.

Nga SYRI TV

Gentian Malindi i arrestuar disa javë më parë me akuzën e ngritur nga SPAK se është porositës i 137 kg kokainë të kapura në 2019 në Portin e Durrësit, është tërhequr nga kërkesa për gjykim të zakonshëm. Kjo i hap rrugë një procesi më të shpejtë e me marzh dënimi më të ulët.

Procesi ndaj tij kishte nisur në mungesë me gjykim të shkurtuar ndërsa ishte pezulluar prej një viti për shkak se nuk u arrestua dot nga autoritetet. Pas arrestimit, ndaj tij u riçel hetimi po me gjykim të shkurtuar, ndërsa ai dhe avokati i tij, kërkuan gjykim të zakonshëm me pretendimin e ballafaqimit me provat e Prokurorisë dhe përgatitjen e mbrojtjes, duke kërkuar edhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve.

Teksa prokuroria duhej të paraqiste konkluzionet në seancë, ishte njohur njëherësh edhe me kërkesën e Malindit për gjykimin e zakonshëm, dhe me sa duket u gjet në befasi pasi mësoi se i pandehuri ishte tërhequr. Për këtë organi i akuzës kërkoi më tepër kohë për të paraqitur para togave të zeza konkluzionet e nxjerra gjatë hetimeve 3-vjeçare.

Seanca e radhës u caktua në më 2 dhjetor në orën 11:00. Më pas do të jetë pala e akuzuar që do të paraqesë konkluzionet e saj të mbrojtjes, mes të cilave edhe kërkesën për fajësi, përpara se togat e zeza të marrin një vendim.

Kujtojmë se procesi ndaj Malindit ishte pezulluar për shkak se ai prej 3 vitesh nuk gjendej. Ai ra në pranga enjten e 27 tetorit në afërsi të Vorës, ndërsa ndaj Malindi ka nisur edhe një procedim tjetër që po zhvillohet në Gjykatën Penale të Tiranës.

Në momentin e arrestimit atij iu gjetën dokumente identifikimi të falsifikuara. Droga për të cilën akuzohet Gentian Malindi si pritës i saj, u kap nga autoritetet greke në Portin e Pireut, ndërsa ngarkesa u zëvendësua me oriz.

Zyra e DEA-s amerikane në Athinë bashkë me autoritetet greke, ndoqën itinerarin e kontenierit, duke përfunduar në Portin e Durrësit, ku ranë në pranga Altin Myslihaka që u dënua me 10 vite burg dhe Ardian Bega i dënuar me 8 vite e 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar. Ky i fundit punonte si oficer i Sigurisë në Portin e Durrësit dhe Myslimhaka, pastrues në anijen e peshkimit “Eniway”.

Përfshirja e Malindit, u zbulua nga përgjimet por edhe nga dëshmia e të dënuarit Ardian Bega.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco