Vranë taksistin pasi kishte lidhje intime me të ëmën, Apeli lë në fuqi dënimin për dy vëllezërit

Vranë taksistin pasi kishte lidhje intime me të ëmën, Apeli lë në fuqi dënimin për dy vëllezërit

16:44, 11/10/2022
A+ Aa A-

Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi dënimin për vëllezërit Saimir dhe Arsil Shera, të shpallur fajtorë për vrasjen e taksistit Abdulla Budlla.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 gusht të vitit 2020 në rrugën nacionale “Fushë Krujë – Vorë”.

Saimir Shera është shpallur fajtor për veprën penale vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim dhe 21 vite burgim.

Po ashtu, ai është shpallur fajtor edhe për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, vepër penale e cila i shton edhe 5 vite të tjera burgim. Me uljen e dënimit me 1/3 përfundimisht Saimiri është dënuar me 14 vite dhe tetë muaj burgim.

Kurse, vëllai i tij, Arsil Shera është shpallur fajtor për veprën penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim duke u dënuar me 15 vite burg. 

Shkak për krimin ka qenë lidhja intime e viktimës me nënën e autorëve. 

Saimir Shera pranoi në gjykatë se thashethemet që ishin përhapur në fshat mes Abdulla Budllës dhe të ëmës së tij, i kishin errësuar sytë. 

“I ngjita makinës me qera frazën e urimeve në dasmë dhe i kërkova vëllait tjetër t’i jepte automjetit. E pashë Budllën në makinën e tij, dhe humba arsyen ndaj e qëllova me një armë të 1997”, tregoi Saimir Shera. 

NJOFTIMI 
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:46, në rrugën nacionale “Fushë Krujë – Vorë”, është vrarë me armë zjarri  shtetasi me iniciale A.B, i cili punonte si taksist. Rezulton se autorët e vrasjes janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale S.Sh dhe A.Sh. Referuar interesimit të mediave, ju informojmë si më poshtë:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të  pandehurve me iniciale S.Sh dhe A.Sh, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të  “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”,  të parashikuara nga nenet 78, 25  dhe 278  të  K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor  Tiranë,  me vendimin nr. 288, datë 09.02.2022 ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me njëzet e një vjet burgim.

- Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni parashikuar nga Neni 278 prg.1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me pesë vjet burgim.

- Në zbatim të nenit 55 te K.Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri S.Sh, të dënohet me njëzet e dy vjet burgim. 

- Në aplikim të Nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit S.Sh, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohet katërmbëdhjetë vjet e tetë muaj burgim.

 2.Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Sh, për kryerjen e veprës penale të "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me pesëmbëdhjetë vjet burgim.

- Në zbatim të Nenit 406 te K.Pr.Penale, perfundimisht i pandehuri A.Sh të dënohet me dhjetë vjet burgim.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale  A.Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim  si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale S.SH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e dënimit nën kufijtë e parashikuar me ligj.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Mihali dhe anëtarë znj. Alma Ahmeti dhe z.Fatri Islamaj, me vendimin nr. 944 , datë 11.10.2022 vendosi:

- Lënien në fuqi të vendimit nr. 288 datë 09.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Tiranë, 11.10.2022
GJYKATA E APELIT TIRANË

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco