Vrasja e biznesmenit shkodran/ Vëllai: Ngjarjen e mësuam nga media

Vrasja e biznesmenit shkodran/ Vëllai: Ngjarjen e mësuam nga media

12:30, 05/09/2022
A+ Aa A-

Pas dy ditë kërkimesh, karabinierët mundën të gjenin biznesmenin shqiptar Fatmir Ara. Ai ishte rrahur e më pas ishte ekzekutuar me armë zjarri.

43-vjeçari, i cili jetonte në Mathi të Torinos, ishte drejtues i sipërmarrjes Nuova Edile, me qendër në rrugën Cirie 10. Ara rezultonte i zhdukur që prej datës 2 Shtator, kur familja e tij iu drejtua autoriteteve policore për ndihmë.

Menjëherë nisën kërkimet në të gjithë zonën. Mëngjesin e së dielës, ai u gjet i vrarë në një fushë në San Carlo Canavese, që ndodhet jo shumë larg Mathi-t. Sipas mediave italiane, 43-vjeçari është rrahur e më pas është qëlluar disa herë me pistoletë.

Trupi i pajetë i biznesmenit u gjet në tokë, pranë makinës së tij, përgjatë një rruge jo shumë larg nga ndërmarrja në pronësi të tij.

Shkaqet e këtij ekzekutimi, ashtu sikurse autorët e saj, momentalisht janë mister. Karabinierët në provincën e Torinos kanë nisur hetimet për të zbardhur vrasjen e biznesmenit shqiptar.

Mediat italiane shkruajnë se autoritetet duket se po kërkojnë brenda rrethit të të njohurve të 43-vjeçarit. Kjo pasi vrasësi dyshohet se i njihte mirë lëvizjet e biznesmenit shqiptar, ashtu sikurse edhe zonën kur u gjet i vrarë. Rrugët që të çojnë në San Carlo Canavese janë pa kamera sigurie.

Fatmir Ara ishte me origjinë nga Shkodra dhe baba i dy fëmijëve.

“Vrasjen e mësuam nga mediat. Nuk e dimë përse është vrarë. Ajo që dimë është që fëmijët kanë humbur babain e tyre”, mësohet të jetë shprehur vëllai i viktimës./tvklan.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco