EMRI/ Dënohet për mashtrim biznesmeni në arrati i vajit të Palmës. Ja vendimi i gjykatës

EMRI/ Dënohet për mashtrim biznesmeni në arrati i vajit të Palmës. Ja vendimi i gjykatës

14:06, 30/09/2021
A+ Aa A-

Gjykata e Gjirokastrës, ka dënuar me 6 vite burgim për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”, biznesmenin Kristaq Kotro.

Ky i fundit prej tre vitesh vijon të jetë në kërkim pasi është marrë një masë sigurisë “arrest në burg”, por ende dhe sot nuk është bërë e mundur arrestimi i tij nga policia.

Vendimi për dënimin e Kotros është dhënë ditën e sotme në gjykatën e Gjirokastrës, ku gjyqtari Arben Dosti, ka deklaruar fajtor dhe më pas dënuar me 6 vjet heqje lirie biznesmenin Kotro për akuzën e “Mashtrimit me pasoja të rënda”.

Të njëjtën masë dënimi kishte kërkuar në pretencën e tij dhe prokurori i çështjes Julian Çafka.

Çështja në fjalë, ka qënë mjaft komplekse, duke zgjatur për një periudhë kohe prej 5 vjet në fazën e hetimit dhe gjykimit.

Mashtrimi me 150 milione leke

Kristaq Kotro u dënua se ka mashtruar një qytetar duke i marrë këtij të fundit një shumë prej 150 milion lekë të vjetra, të cilën synonte t’i investonte në fabrikën e përpunimit të vajit të Palmës në Gjirokastër.

Por për shkak se Kotro, nuk ka kthyer sasinë e eurove të marra, qytetari i është drejtuar me një kallëzim penal, policisë dhe prokurorisë së Gjirokastrës.

Kristaq Kotro, njihet për publikun e gjerë lidhur me operacionin antidrogë të kryer nga policia Shqiptare dhe ajo Belge, ku janë sekuestruar disa fuçi me vaj palme, brenda të cilave ishte tretur një sasi prej 200 kg kokainë.

Gjatë një aksioni antidrogë më 21 Mars 2011, me objekt kapjen e 200 kg kokainë e shkrirë në 52 fuçi me vaj palme të nisur nga Kolumbia, çuditërisht, kur kokaina mbërriti në Gjirokastër, prokuroria shqiptare e mbylli me vetëm një të arrestuar, i cili ishte Dhimitros alias Vullnet Harizaj.

Ky i fundit, për këtë rast të futjes së 200 kg kokainë në vajin e palmës, i cili ishte sjellë nga Kolumbia në Gjirokastër, u dënua 8 vite burg me akuzën “Trafik i Narkotikëve, mbetur në tentativë”.

Çudia është, se Vullnet Harizaj, si menaxhues i dërgesës së kokainës nga Belgjika në Gjirokastër, të gjitha dokumentet e përfaqësimit, transportit, zhdoganimit e destinacionit fundor të magazinimit të ngarkesës, i kishte të kompanisë “Interkris” Shpk në pronësi të Kristaq Kotro.

Vetë ky i fundit kur është shoqëruar dhe marrë në pyetje tek Krimet e Rënda, pranoi se kishte vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin, autorizimet e blerjes, pagesat e faturave dhe magazinat e kompanisë së tij “Interkris” Sh.p.k në Derviçian-Gjirokastër, ku u kapën fuçitë me vaj palme e kokainë. Por në atë periudhë nuk u mor asnjë masë ndalimi për këtë biznesmen./Elton Qyno, ora/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco