Babai i Aldi Ramës: Shteti është fajtor, po vret rininë me varfëri e papunësi

Babai i Aldi Ramës: Shteti është fajtor, po vret rininë me varfëri e papunësi

09:54, 30/09/2021
A+ Aa A-

Aldi Rama kishte vite që nuk e kishte pasur pranë babanë e tij, për shkak se rezulton i dënuar në Greqi për një krim të rëndë. Rufat Rama, i divorcuar dhe banues prej vitesh në Greqi, thotë se ka vite që nuk ka shkelur në vendlindje për shkak të mungesës së letrave.

Babai i të riut që ekzekutoi efektivin në krye të detyrës fajëson shtetin se po vret rininë me varfëri e papunësi. Ai nuk hezitoi të falënderonte RENEA-n që bëri të pamundurën të shpëtonte jetën e djalit të tij, ndërsa shpjegoi se kishte menduar të thyente ligjet e të merrte djalin në Greqi për ta larguar nga shoqëria e keqe.

Teksa shprehte ngushëllimet për familjen e të ndjerit Saimir Hoxha, Rufat Rama u përlot gjatë bisedës telefonike për “Shqipëria Live” në “Top Channel”. Më e vështirë për të është t’u tregojë prindërve të tij se Aldi ka ndërruar jetë pasi e dinë se ndodhet në burg. Sipas Rufat Ramës, nuk kanë informacion për ngjarjen e rëndë, sepse jetojnë në varfëri dhe nuk kanë televizor.

“Kohët e fundit u shkëput nga çdo familjar. Aldi jetonte me pensionin e gjyshit. Nuk u kërkoja kurrë lekë fëmijëve, më duket se i keqtrajtoj. I mësoja si ta mbajë lekun. I ka dërguar vëllai sa ka pasur mundësi, e ka dashur shumë. Vëllai është në gjendje shumë të keqe sot. Jeton në Greqi. Kishte mbi 10 ditë që nuk komunikonte me të. Ka mundësi të nisem nesër në mëngjes nga ora 8:00, por nuk e kemi vendosur. Kur më ka rënë brenda për herë të parë, thashë shyqyr Zotit që nuk u bë gjë më e madhe se ishte fëmijë dhe bëra të pamundurën që të dalë djali.

Ndërsa për Aldin kur dëgjova se ka rënë për herë të dytë brenda për 5 cigare hashash, ishin fëmijë, jo grup kriminal. Ka shumë të rinj që e bëjnë këtë nga papunësia. Pse nuk përfundon në krim një bos? Po na vrasin rininë, po vrasin fëmijët tanë. Fajin e ka shteti. Nuk mundet të mbyllet një fëmijë në shtëpi pa bukë. Nuk kam asgjë çfarë të them, jam gjysmë njeriu, nuk ngrihem dot në këmbë. Drejtësi deshëm, duhet të shiheshin këto gjëra të djalit tim. Unë falënderoj RENEA-n që ka vepruar me gjakftohtësi, sepse djali vrau një efektiv.

Gjyshërit e dinë që është në burg, nuk e dinë që nuk jeton më. Nuk mund të flas me gjyshërit, nuk mund t’u dal para syve, do të më mbysin, do të më vrasin për Aldin. Nuk kanë televizor, të shkojnë këta gazetarët të shohin ku jetojnë. Jetonte në një dhomë me prindërit e mi. Nëna ime 90 vjeçe gatuante një pjatë gjellë për Aldin. Po u tregova gjyshërve, mbaruan të dy. Ata e rritën Aldin, ka qenë i dashur, nuk ka qenë kriminel. Ne jemi nga një familje e varfër, jo terroriste. Fëmija ka qenë i dashur, i vetmuar, pa prindërit afër, ka qenë me shoqëri shumë të keqe”, thotë Rufat Rama.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco