Ja pse dosja për ekzekutimin e Hekuran Billës rrezikon të arkivohet

Ja pse dosja për ekzekutimin e Hekuran Billës rrezikon të arkivohet

10:37, 28/09/2021
A+ Aa A-

Më shumë se një vit pas arrestimit, Gjykata e Tiranës ka çuar në shtëpi dy autorët e dyshuar të vrasjes me armë zjarri të Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit të vitit 2020 në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.

Ndryshimi i masës së sigurisë ndaj Viktor Markut dhe Sebastian Malit, nga “Arrest me burg” në “Arrest shtëpie”, është vendosur deri në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë nga ana e gjykatës, pasi kanë skaduar afatet e paraburgimit ndaj tyre. Dosja për vrasjen e Billës rrezikon të arkivohet, duke mbetur e pazbardhur vrasja e 41-vjeçarit.

Qelizat telefonike si dhe kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja nuk i kanë dhënë asnjë fakt organit të hetimit për të zbardhur autorësinë e vrasjes. Dy telefonat e viktimës nuk janë ç’koduar dot dhe për pasojë, hetuesit nuk mund të zbulojnë ndonjë të dhënë në këtë drejtim.

EKZEKUTIMI

Hekuran Billa u qëllua me breshëri automatiku mbrëmjen e 11 qershorit të vitit 2020, ndërsa kishte dalë nga një parking me automjetin e tij tip “BMW X6”. Fillimisht atij iu pre rruga nga një automjet dhe më pas u qëllua për vdekje në pjesën e kokës dhe në trup. Me origjinë nga Kukësi dhe banues në Tiranë, Billa kishte hapur vitet e fundit një biznes të makinave me qira në zonën ku ndodhi vrasja. Menjëherë pas krimit, gishti u drejtua te hakmarrja jo vetëm nga familja, por edhe nga organet hetimore, për shkak të së shkuarës së viktimës.

Billa është akuzuar për vrasjen e Prel Markut, vëllai i të arrestuarit nga Policia Viktor Marku, si dhe plagosjen e tre personave të tjerë, përkatësisht Petrit Brahos, Agron Gjonit dhe Musa Rrahmanit, ngjarje e ndodhur në vitin 2006 në Britani të Madhe pas një përplasjeje me armë midis dy grupeve. Billa u dënua në Britani me burgim të përjetshëm me minimumi 35 vite burg, por pas transferimit në Shqipëri, dënimi i tij u konvertua me 25 vite. Ndërsa duhet të kryente të paktën edhe 10 vite burg, në vitin 2019 dosja gjyqësore ndaj tij mori një tjetër rrjedhë nga gjyqtarja e arrestuar për korrupsion Enkelejda Hoxha. Gjyqtarja, e cila ndodhet prapa hekurave, i fali 5 vite Billës, ndërsa 5 vite të tjera ia konvertoi në shërbim prove, duke e liruar kështu nga qelitë me pretendimin se duhet t’u shërbente prindërve të sëmurë.

ARRESTIMI I VIKTOR MARKUT DHE NIPIT

Pak ditë pas ekzekutimit të Billës në një nga zonat më të populluara të Tiranës, Policia çoi në pranga Sebastian Malin, nipi i Prel Markut, i vrarë në vitin 2006. I riu ndodhej pranë një qendre tregtare në zonë natën e krimit, duke mohuar përfshirjen në vrasje. “Isha në zonën afër vendit të ngjarjes, sepse shkoja shpesh për të bërë pazar në qendër dhe shikoja një vajzë që edhe ajo vinte shpesh aty”, thoshte Mali para hetuesve në atë kohë. Vajza do të rezultonte Adiola Lakra, e arrestuar më vonë nga Policia dhe me të cilën Billa kishte lidhje intime.

Hetuesit bënin me dije në atë kohë se Mali kishte sinjalizuar ekzekutorët për lëvizjet e Hekuran Billës. Ndërkohë, më 19 qershor 2020 Policia malazeze çoi në pranga Viktor Markun, të dyshuarin kryesor për vrasjen. Marku u arrestua në afërsi të Podgoricës, i cili dyshohej se ishte larguar menjëherë pas atentatit. “Strukturat e Policisë së Shtetit kanë vënë në pranga në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit Shkodër, shtetasin V. M., pasi dyshohet se është autori kryesor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, te Komuna e Parisit, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B. Shtetasi V. M. qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe falë shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit V. M., në Malin e Zi. Policia malazeze ia ka dorëzuar shtetasin V. M. strukturave të Policisë së Shtetit, në pikën kufitare të Hanit të Hotit”, sqaronte Policia e Shtetit

ARRESTIMI DHE LIRIMI I TË DASHURËS SË BILLËS

Më 26 qershor 2020 në prangat e Policisë përfundoi edhe një 26-vjeçare nga Berati, e akuzuar si bashkëpunëtore në vrasje. Adiola Lakra kishte pasur lidhje intime me Hekuran Billën, me të cilën ishte njohur përmes “Instagram”-it. “Kjo shtetase dyshohet se është bashkëpunëtore në vrasjen e shtetasit H. B.”, sqaronte Policia e Shtetit. Pas arrestimit, Lakra pranoi njohjen me Viktor Markun dhe nipin e tij Sebastjan Mali. Ditën kur familja e Hekuran Billës përkujtonte me të afërmit 1-vjetorin e vdekjes, gjykata la të lirë atë që akuzohej se nxori në pritë Billën dhe personi i fundit që kishte takuar para se të vritej./PANORAMA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco