Policia jep detaje/ Përballja me Kaçifas dhe vrasja e tij

Policia jep detaje/ Përballja me Kaçifas dhe vrasja e tij

19:29, 28/10/2018
A+ Aa A-

Policia shqiptare ka dhënë detaje të tjera për ngjarjen e sotme në Bularat, ku mbeti i vrarë, pas një përplasje me armë, Kostandions Kaçifa, 35 vjeç

Sipas Policisë, mësohet se gjatë ditës së sotme, datë 28. 10. 2018, rreth orës 10.00, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull të  Rrethit Gjirokastër ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Punonjësit e Policisë të cilët ishin të planizuar me shërbim në fshatin Bularat kanë shkuar menjëherë në drejtim të vendit nga u dëgjuan të shtënat me armë.

Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë. 

Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e policisë kanë kërkuar mbështetje me efektivë shtesë si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë.

Në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor.

Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e sitatës së pazakontë për forcat vendore.

Me mbërritjen në vendngjarje, kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit.

Nga kontrolli i ushtruar në banesë nuk është bërë e mundur gjetja e tij  dhe në këtë kohë ka nisur  krehja e zonës.

Forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.

Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre.

Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.

Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje,  të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa.

Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamuflazh

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër si dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryejnë veprimet në vendngjarje .

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco