Kosova e ka shpallur person të padëshirueshëm ministren serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, duke i ndaluar përgjithmonë hyrjen dhe kalimin në territorin e saj. Vendimi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas Sveçlës, vendimi u mor pas deklaratës së Paunoviç, e cila tha disa ditë më parë se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta kishte ‘spastruar etnikisht Kosovën’.
Në një reagim në Facebook, Sveçla tha se me këto deklarata ministrja serbe ka rikthyer retorikën e projektit të spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.
‘Ky ishte projekti që u zbatua nga ish-shefi i saj, Sllobodan Millosheviç, i njohur si ‘Kasapi i Ballkanit’. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të marrë përgjigje të vendosur ligjore dhe institucionale’, shkroi ai.
Paunoviç i bëri komentet gjatë një interviste për televizionin serb Kurir, ku tha se kjo ishte ‘deklarata më e ashpër’ që kishte bërë ndonjëherë.
Ajo sqaroi se nuk e kishte fjalën për vrasjen e shqiptarëve, por se, sipas saj, të gjithë ata që nuk ndiheshin qytetarë të Republikës Federale të Jugosllavisë duhej të largoheshin dhe të shkonin në shtetin e tyre amë.
Një ditë më vonë, Paunoviç deklaroi se nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj dhe tha se mbështet politikën e Partisë Socialiste të Serbisë, ku është anëtare që prej vitit 1992.
‘Ne jemi partia që e udhëhoqi Serbinë në rrethana shumë të vështira historike dhe emri ynë është përmendur më së shumti në Hagë’, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Deklaratat e saj u dënuan nga Bashkimi Evropian dhe autoritetet e Kosovës.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hiper, theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.
‘Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Europian’, tha ajo.
Edhe komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, u shpreh e tronditur nga deklaratat e ministres serbe, duke theksuar se shpreson që ato të jenë qëndrim personal dhe jo politikë zyrtare e Qeverisë së Serbisë.
‘Nuk mund të ketë asnjë tolerancë për deklarata të tilla. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon, promovon apo madhëron spastrimin etnik’, deklaroi Kos.
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se kjo retorikë glorifikon krimet e luftës, rrezikon stabilitetin rajonal dhe bie ndesh me vlerat evropiane.
Analisti Belgzim Kamberi nga Instituti për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’ në Prishtinë vlerësoi se deklaratat e Paunoviç tregojnë se në Serbi mungon përballja me të kaluarën dhe se ato pasqyrojnë një ideologji politike që e paraqet spastrimin etnik si zgjidhje.
Edhe Dragan Popoviç, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Serbi, tha se deklarata e ministres vetëm sa nxori në pah një realitet që, sipas tij, vazhdon të ekzistojë.
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13 mijë civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1 500 persona vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur, ndërsa gjatë viteve janë zbuluar edhe varreza masive në Serbi.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka konstatuar se drejtuesit e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova dhe ndryshimin e përbërjes etnike të saj për të ruajtur kontrollin serb mbi territorin. /Marrë nga REL
© SYRI.net