Me 86 vota pro, deputetët e zhvendosen shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.
Gjithashtu deputetët u dakorduan me kërkesën e LDK-së që votimi i Propozim-Rezolutës për rritjen e çmimeve të naftës nga pika e nëntë, të zhvendoset në pikën e gjashtë të rendit të ditës.
PDK kërkon që rezoluta për mbrojtjen e luftës të shqyrtohet e para
Shefat e grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në një konsultim pesë minutësh për të diskutuar ndryshimin e rendit të ditës së kërkuar nga PDK.
Ky subjekt politik kërkoi zhvendosjen e shqyrtimit të “Propozim-Rezolutës për mbrojtjen e së vërtetës historike të luftës në Kosovë 1998–1999”, si pikë e parë e rendit të ditës.
“Për aq sa kuptova është arritur dakordim për tekstin e rezolutës nga të gjitha grupet parlamentare. Ne insistojmë që kjo pikë të trajtohet si pika e parë e rendit të ditës. Nuk besoj që ky Kuvend ka diçka më me rëndësi për të trajtuar sesa kjo pikë, për më tepër se kjo flet shumë për kulturën politike që është duke mbizotëruar në Kosovë tash e disa vjet. Nuk është turp e as dobësi që shumica parlamentare të pranojë një kërkesë të opozitës”, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci tha se ata kanë mbështetur rezolutën dhe kanë ofruar që t’i dërgojnë deputetët e këtij subjekti politik për të dhënë kontribut në këtë propozim.
“Dy deputetët tanë, Ardian Gola dhe Adnan Rrustemi klanë punuar dje deri mbrëmë vonë. E kemi marrë draftin nga PDK të mërkurën. Kanë pasur takime sot, besoj se janë në prag të dakordimit të përmbajtjes së rezolutës. Unë ju kisha lutur ta lëmë sipas rendit të ditës, sapo të kemi dakordimin final, e miratojmë”, tha ajo.
Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se mos të shihen si “makineri votimi për ligjet që sjelljen pa respektuar procedurat e rregullta”.
“S’ka asnjë arsyeshmëri që të evitohen procedurat duke na sjellë para akteve të kryera dhe duke na sjellë drama për çdo seancë”, tha ajo.
Besnik Tahiri i AAK-së tha se nuk është me peshë dhe as nuk kërkon sakrificë të vendoset si pikë e parë diskutimi për një rezolutë që qenka arritur dakordanca për përmbajtjen.
Opozita nuk e miraton ndryshimin e rendit të ditës
Kuvendi i Kosovës dështojë që t’i fus në rend dite tetë projektligje, të cilat qenë të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje dhe ndërlidheshin me çmimet tavan, lojërat mesdhetare, banimin social, sigurimin shëndetësor.
Projektligjet në Kuvend shkaktojnë debate mes deputetëve
Votimi i projektligjeve në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka shkaktuar debat ndërmjet deputetëve, ku subjektet politike opozitare u deklaruan se nuk do të përkrahin miratimin e tyre me arsyetimin se nuk kanë urgjencë.
Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci gjatë prezantimit të projektligjeve, tha se dy prej tyre janë të rëndësisë primare sepse mundësojnë anëtarësimin në SEPA - Single Euro Payments Area.
Në replikë ndaj përfaqësuesve të partive opozitare të cilët thanë se Kuvendi duhet të ketë prioritete të tjera, kryetarja e këtij institucioni, Albulena Haxhiu tha se afati kushtetues përcakton që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet deri më 27 prill dhe deri atëherë duhet të përfundojnë punët.
“Detyrohemi që çështjet që janë në interes të qytetarëve t’i adresojmë si Kuvend i Kosovës”, tha Haxhiu.
Arian Tahiri nga PDK ka deklaruar se asnjë nga pikat e rendit të ditës të cilat kërkojnë miratimin e deputetëve, nuk janë urgjente dhe ky subjekt politik nuk i mbështet si të tilla.
“Kjo është një tendencë dhe qasje e qeverisë të ndërtojë agjendë të fushatës zgjedhore e jo të trajtojë me seriozitet tema të cilat janë kaq të rëndësishme, për të cilat edhe duhet kohë edhe trajtim profesional”, tha Tahiri.
Jehona Lushaku – Sadriu nga LDK tha se këto projektligje kanë kaluar këtë javë nëpër komisione dhe po kërkohet që në mënyrë të përshpejtuar të votohen në Kuvend.
“Të gjitha temat që trajtojnë këto projektligje janë tepër të rëndësishme. Por jo në periudhën që po shqyrtohen sepse projektligjet kërkohen të analizohen dhe janë më pak se një javë që janë shpërndarë te të gjithë deputetët. Kjo urgjencë është e pa arsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, tha ajo.
Besnik Tahiri nga AAK kritikoi vonesën prej një ore të nisjes së seancës.
“Të fillohet seanca me një orë vonesë nuk ka logjikë. Mos të ndodh kjo. Sa i përket çështjes së shmangies së procedurës, pyetja që duhet t’ju shtroj është pse mbajmë ne kryesi pse duhet se sa herë vijmë në sallë me hy diçka, me ndodh diçka. Kërkoj që kjo mos të kthehet në praktikë kërkesa jem është që të tërhiqen këto dhe të flasim siç jemi dakorduar për pikat”, tha ai, duke kritikuar ndryshimin e rendit të ditës.
Kuvendi i Kosovës nisi seancën plenare, në rendin e ditës janë paraparë disa pika për shqyrtim dhe vendimmarrje nga deputetët.
Fillimisht u bë miratimi i rendit të ditës dhe i procesverbalit nga seanca e mëparshme, ndërsa më pas do të ketë deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare.
Seanca nisi me një orë vonesë. / RTK.
© SYRI.net