Kurti: Në veri mund të bëhesh kryetar komune vetëm përmes zgjedhjeve të Republikës së Kosovës

Kurti: Në veri mund të bëhesh kryetar komune vetëm përmes zgjedhjeve të Republikës së Kosovës

13:27, 08/04/2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përurimit të objektit të Administratës Tatimore të Kosovës në Mitrovicën e Veriut, deklaroi se institucionet e vendit funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

I pyetur nëse ka vizituar kryetarin e komunës, Milan Radojeviq, Kurti tha se ende nuk e ka bërë këtë takim, por do ta kenë mundësinë të takohet në të ardhmen. Ai nënvizoi se në komunat në veri të Ibrit, pozitat si kryetar komune, asamblist apo drejtor mund të arrihen vetëm përmes zgjedhjeve të Republikës së Kosovës.

“Ka qenë një transferim paqësor i pushtetit, që do të thotë se në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune, mund të bëhesh asamblist, mund të bëhesh drejtor, por vetëm nëpërmjet zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, tha Kurti.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve serbë mbi demokracinë në Kosovë, Kurti theksoi se qeveria e tij punon për barazi dhe sundim të ligjit.

“Ne punojmë për të gjithë qytetarët. Nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por them se gjithçka po normalizohet. Ligji nuk ndan shoqërinë në ata që janë të mbrojtur dhe ata që nuk janë. Ai bashkon shoqërinë me bashkim dhe barazi. Nuk mund të jepni asnjë shembull ku organet e pushtetit, policia e Kosovës, apo administrata tatimore, nuk i shërbejnë të gjithëve njëjtë dhe profesionalisht”, tha kryeministri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco