Një fabrikë e stiroporit është përfshirë nga zjarri në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme materiale.
Për pasojë një punonjës i fabrikës është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren.
Zëdhënësi i Policisë për këtë rajon, Shaqir Bytyqi ka thënë për gazetën online Reporteri.net se sipas pronarit të objektit, dëmi nga zjarri është mbi 400 mijë euro.
Policia thotë se sipas informatave të grumbulluara nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit.
“Me datën 07.04.2026, rreth orës 03:00, Policia ka pranuar informatë se në fshatin Mushnikove, në Prizren, kishte shpërthyer një zjarr në një fabrikë të stiroporit.
Patrulla policore i është përgjigjur menjëherë rastit, së bashku me njësitë e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë dhe shuajnë zjarrin, duke e vënë situatën plotësisht nën kontroll.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe Hetuesi i Stacionit Policor në Prizren si dhe njësia e Krim-Teknikës. Sipas informatave të grumbulluara nga dëshmitarët dhe pronari i fabrikës, dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një makineri që përdoret për thithjen e pluhurit.Dëmi material i shkaktuar nga zjarri vlerësohet të jetë mbi 400,000 (katërqind mijë) euro, sipas deklarimit të viktimës.Një punonjës i fabrikës është dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, pasi kishte probleme me frymëmarrjen si pasojë e tymit, por sipas mjekut kujdestar nuk ka pësuar lëndime të dukshme”, ka bërë të ditur policia.
Lidhur me rastin është njoftuar Sektori i Hetimeve Rajonale si dhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Incident zjarri”.
© SYRI.net