Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka mbërritur në Presidencë, ku pritet të marrë zyrtarisht detyrën nga presidentja në largim, Vjosa Osmani.
“Mirë se erdhe, kryetare”, iu drejtua Osmani Haxhiut, para se të hynin së bashku në Zyrën e Presidentes, në kuadër të ceremonisë së dorëzimit të detyrës.
Më herët, përmes një video-mesazhi, Osmani ka reflektuar mbi mandatin e saj, duke theksuar se arritjet nuk kanë qenë individuale, por rezultat i një përpjekjeje të përbashkët.
“Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët. Me njerëz nga çdo fushë, që besuan në Kosovën, që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë. Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme”, u shpreh Osmani, duke e përmbyllur mesazhin me flamurin e Kosovës.
Ky postim shënon përfundimin e mandatit të saj, ndërsa në orën 16:00 pritet që detyra e Presidentit të kalojë zyrtarisht tek Albulena Haxhiu, përmes një ceremonie të posaçme dorëzimi.
© SYRI.net