Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjet e tre mërgimtarëve që vdiqën dje në aksidentin me skele në Vjenë të Austrisë, shkruan Reporteri.net.
Aksidenti ndodhi në një kantier ndërtimi, teksa të vdekur mbetën Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.
“Kjo tragjedi e rëndë, që ua ndërpreu jetën teksa punonin për ta siguruar jetesën, ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë ne. Në këto momente të vështira, ju shprehim ngushëllime familjeve, miqve dhe të afërmve të viktimave. Ndajmë dhimbjen me familjet dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë. I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”, thuhet në telegramin e Presidentes.
Ambasada e Kosovës në Austri ka thënë se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe familjarët e viktimave për të ofruar mbështetjen e nevojshme për procedurat.
Aksidenti ndodhi pasditen e së martës.
“Në oborrin e një pallati me disa apartamente, disa punëtorë ndërtimi janë mbuluar nga rrënojat për arsye ende të paqarta. Si pasojë, u kryen veprime të gjera shpëtimi dhe nxjerrjeje. Katër punëtorë ndërtimi u gjetën të vdekur. Një punëtor u shpëtua dhe u dërgua në spital. Hetimet e mëtejshme për shkakun e aksidentit janë në vazhdim”, ka konfirmuar Policia e Vjenës.
© SYRI.net