Katër shqiptarë nga Kosova dyshohet se kanë humbur jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë, nga rrëzimi i skelave. Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka ngushëlluar familjet e viktimave.
Lushtaku në një postim në Facebook ka njoftuar se një nga të vdekurit është nga Klina e Poshtme, ndërsa ka ngushëlluar edhe familjet e tre bashkëkombasve tjerë që humbën jetën në tragjedi.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombasit tonë, Pajtim Bajrami nga Klina e Poshtme, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë. Kjo humbje e rëndë na prek të gjithëve duke lënë pas një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe te të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta i shpreh familjes Bajrami, si dhe familjeve të tre bashkëkombasve të tjerë që humbën jetën po në këtë tragjedi. Ndajmë dhimbjen me ju në këto momente të rënda!” – ka shkruar Lushtaku në Facebook.
Për tragjedinë kanë njoftuar edhe familjarët.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për humbjen e jetës së djalit të axhës Pajtim Bajrami, i cili humbi jetën në vendin e punës në Vjenë të Austrisë me 3 shokët e tij nga Kosova”, ka shkruar Osman Bajrami në Facebook.
Aksidenti në Vjenë ndodhi rreth orës 14:15. Skelat u rrëzuan, ndërsa u zunë nën rrënoja pesë punëtorë.
Një punëtor ndërtimi u shpëtua nga shërbimet e emergjencës dhe u dërgua në spital. Katër persona të tjerë u nxorën të vdekur nga rrënojat, konfirmoi Policia e Vjenës në një postim në “X”.
© SYRI.net