'Rajoni dhe balanca e re ushtarake'/ Shala: Serbia po investon në kapacitete sulmuese dhe teknologji nga Kina

09:55, 17/03/2026

Eksperti i sigurisë Drizan Shala deklaroi në emisionin KAFE SHQETO në Syri TV se Forca e Sigurisë së Kosovës ndodhet në fazën përmbyllëse të planit 10-vjeçar të transformimit, i cili pritet të finalizohet në vitin 2027, në përputhje me standardet e NATO.

Sipas tij, Kosova ka validuar regjimentet ushtarake sipas standardeve të NATO-s dhe ka kryer investime në përputhje me situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Shala theksoi gjithashtu forcimin e rolit të Forcat e Armatosura të Shqipërisë brenda Aleancës, duke marrë përgjegjësi në misione në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë, në kuadër të konceptit NATO 2030.

Ai paralajmëroi zhvillimin e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake në qershor 2026 mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë+, duke e cilësuar këtë si goditje për pozicionin e Serbisë në rajon.

Sipas Shalës, tre vendet po avancojnë bashkëpunimin edhe në shkëmbimin e inteligjencës ushtarake dhe në ndërtimin e një industrie të përbashkët mbrojtëse, me përfshirjen e kompanisë gjermane Rheinmetall.

Në anën tjetër, ai theksoi se Serbia po investon në kapacitete sulmuese, përfshirë sisteme raketore dhe teknologji anti-dron nga Kina, duke synuar balancimin e zhvillimeve të reja ushtarake në rajon dhe ruajtjen e ndikimit të saj politik, në një kohë kur sipas tij, roli i Rusia mund të dobësohet në arenën ndërkombëtare.

Drizan Shala:

Do të më lejohet me mirësjellje dhe kuptimin më të mirë njerëzor dhe profesional me mysafirin në studio, në dy çështje dua të bëj një digresion të vogël. Çështja e parë ndërlidhet me pjesën që e potencoj sa i përket kapaciteteve reale të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne mund të themi se jemi në planin përmbyllës të planit gjithëpërfshirës 10 vjeçar. Në 2027 ne e përmbyllëm këtë plan. Dhe ne kemi validuar të gjitha regjimentet tona ushtarake sipas konceptit të NATO-s, NATO standard. Njëkohësisht ne kemi bërë investime të planifikuara sipas këtij plani gjithëpërfshirës, por njëkohësisht edhe sipas, kushteve dhe klimës së sigurisë kolektive në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Dhe në pjesën tjetër që duhet të bëj një digresion të vogël është çështja e potencimit për ushtrinë shqiptare. Nuk e di, mysafiri në studio a është i mëshëruar me koncept dokumentin NATO 2030, ku në këtë koncept dokument është precizuar qartë edhe regjionalizimi ushtarak. Dhe në këtë segment Forcat e Armatosura të Shtetit Shqiptar kanë marrë dhe janë duke u forcuar me role dhe përgjegjësi të caktuara brenda Aleancës Euro-Atlantike, respektivisht në dy misione në Ballkanin Perëndimor, qoftë në Kosovë, qoftë në Bosnje e Hercegovinë.

Pra kanë marrë lidershipet e caktuara në pjesën më vitale të këtyre dy sistemeve dhe misioneve ushtarake. Sa i përket pyetjes suaj, i nderuari moderator, çështja e deklarimit të Aleksandër Vuçiç ndërlidhet kryesisht në aspektin e asaj që kemi të bëjmë këtu me një regjionalizim ushtarak, dhe pikërisht janë bërë dy kombe së bashku kundër një së keqe, kombi kroat dhe kombi shqiptar. Ne do të duhet ta trajtojmë në këtë segmentin gjithëpërfshirës strategjik. Përmes kësaj forme, ju e dini qartë se gjatë muajit qershor të 2026-ës ne do e shohim një ushtrim të përbashkët të forcave kroate, shqiptare dhe të Kosovës në njërën nga bazat ushtarake të Kroacisë. Dhe kjo de facto është një goditje e rëndë për sistemin politik të Serbisë, sepse në këtë pjesë Serbia tanimë e ka të qartë që Kosova në aspektin e ndërkombëtarizimit është pjesë përbërëse e një ushtrimi dhe një aleance ushtarake me dy shtete anëtare të NATO-s, me Shqipërinë dhe dhe Kroacinë. Prandaj, Serbia e sheh këtë si një humbje të mbështetjes dhe kontrollit mbi proceset me të cilat ajo dialogon më shumë se një dekadë, sa i përket çështjes së statutit të Kosovës që ata e trajtojnë, ndërsa Kosova ka të qartë rrugëtimin e saj në mekanizmat euro-atlantik. Prandaj, formalizimet, konkretizimet edhe të tre shefave të shtabit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, pikërisht ju do e shohim, do e shihni gjatë muajit në vijim, elementet substanciale të këtij bashkëpunimi dhe formësimit.

Do të shohim edhe bashkëpunim në krijimin e një qendre të përbashkët të shkëmbimit të informacioneve inteligjente ushtarake. Do të shohim edhe krijimin e, në pjesën e dytë të këtij viti, ëh, të një bazamenti të rëndësishëm sa i përket edhe industrisë së përbashkët ushtarake, sepse Kroacia, Kosova dhe Shqipëria, në qoftë se ne i referohemi si treg ekonomik, kanë arritur tanimë Kroacia që ta fusë në pjesë, në pjesën e inventarit të saj strategjik edhe kompaninë prestigjioze gjermane Rheinmetall, e cila de facto një pjesë të këtyre prodhimeve do i shpërndajmë në këtë regjionalizimin ushtarak, Kroaci, Kosovë dhe Shqipëri, dhe kështu dalëngadalë do të përmbushen nevojat të Kosovës në krijimin e industrisë ushtarake dhe nevojat e saj nacionale, Shqipëria në forcimin dhe rimodernizimin dhe rimodelimin e sistemit ushtarak të industrisë ushtarake të mbrojtjes dhe Kroacia në përmbushjen e disa kërkesave sa i përket arritjes së standartizimit në pjesë të caktuara të konsorisë dhe pjesës së logjistikës përkatëse.

Sa i përket çështjes së militarizimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, është e qartë, sepse shtetet të cilat përfaqësojnë dhe përqafojnë koncept dokumentet dhe doktrinën amerikane apo të NATO-s, kanë për bazë kapacitetet mbrojtëse, defense, dhe assesi kapacitete sulmuese apo offense. Prandaj në këtë segment Serbia është duke investuar në kapacitetet e saja luftarake, pra sulmuese, edhe pikërisht blerja e këtij sistemi të të raketave balistike, është rezultat i një komunikimi strategjik që ka zhvilluar shteti i Serbisë gjatë muajit nëntor të 2025-ës me një vizitë të delegacionit nga ministri i Mbrojtjes së shtetit së Serbisë dhe përfaqësuesve të shtabit të tij. Dhe njëkohësisht ishte një ri-takim në muajin dhjetor në pjesën e Beogradit nga përfaqësuesit e shtetit të Kinës dhe kjo si rezultat ka arritur pikërisht në avancimet dhe blerjet të tilla të këtij sistemi, por njëkohësisht do të shohim edhe blerje të tjera që do të vijnë gjatë muajit prill, sipas të gjitha informacioneve do të jetë sistemi anti-dron.

Dhe këtë këtë pjesë është interesuar Serbia që të avancojë sistemin anti-dron për arsye të ditjes së një elementi bazë, sepse rajoni i Ballkanit Perëndimor, të tria vendet në aspektin e regjionalizimit ushtarak, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci, do krijojnë edhe sistemin e tyre të droneve. Dhe kjo si rezultat, Serbia po tenton që tanimë përmes teknologjisë kineze ta avancojë qëllimet e saj, që ta neutralizojë çdo përpjekje të mundshme të një ballafaqimi, sepse Serbia e ka në dokumentet e tyre strategjike, edhe në aspektin politik, ushtarak, pushtimin dhe ringritjen e hegjemonizmit të saj mbi territoret e rajonit të Ballkanit Perëndimor të cilin i ka pasur të okupuar gjatë viteve të të 90-tave. Prandaj, kjo përmasë e investimeve ushtarake e ka këtë segment, pra, për të forcuar vetveten, por njëkohësisht, Serbia në aspektin politik e luan rolin tejet të rëndësishëm, sepse tenton ta mbajë një linjë dhe një realitet të ri politik-ushtarak me Pekinin, për arsye se ka gjasa se Rusia në fushëbetejë në Ukrainës, edhe politike, edhe diplomatike, por edhe ushtarake, mund të ketë regres dhe mund ta humb fuqinë e saj në arenën ndërkombëtare.

Prandaj, Serbia duke ditur dhe duke shpresuar që Pekingi do ta reinvestojë pozicionin e saj në Ballkanin Perëndimor si aspekt i ndryshimit të kufirit ekonomik, sepse kemi pesë kufij: kufiri politik, shtetëror, ekonomik, ushtarak dhe religjioz. Prandaj, mbi bazën e këtyre ndryshimeve të pesë kufijve, Serbia po tenton ta mbajë një anëtare të Këshillit të Përhershëm të OKB-së si mbështetje për të bllokuar rrugëtimin e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por njëkohësisht duke parë dhe influencën edhe të atij kufirit ekonomik brenda dhe për bazë të këtyre pesë vendeve mosnjohëse, të cilët kanë një bashkëpunim të ngushtë brenda aleancës veri-atlantike, por njëkohësisht edhe brenda Bashkimit Evropian në aspektin ekonomik me Pekinin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco