Zbatimi i Ligjit për të huajt, çfarë thanë sot në konferencë Sorensen, Orav dhe Kurti

Zbatimi i Ligjit për të huajt, çfarë thanë sot në konferencë Sorensen, Orav dhe Kurti

14:30, 14/03/2026

Qeveria e Kosovës është pajtuar të ofrojë lehtësira të përkohshme për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk janë të pajisur me dokumente kosovare, në kuadër të zbatimit të Ligjit për të huajt dhe Ligjit për automjetet, të cilat pritet të hyjnë plotësisht në fuqi nga e diela (nesër).

Sipas marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me BE-në, punëtorëve serbë të arsimit dhe shëndetësisë, si dhe studentëve, do t’u mundësohet marrja e një leje të përkohshme qëndrimi me një periudhë fillestare prej 12 muajsh, si dhe njohja e letërnjoftimeve që posedojnë, deri në një zgjidhje të mëtejshme.

Për këtë çështje në një konferencë për media sot në Prishtinë folën emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, kryeministri Albin Kurti dhe shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen ka vlerësuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e Ligjit dhe përpjekjet për integrimin e komuniteteve në përputhje me marrëveshjet me BE-në.

Ai ka theksuar se procesi i ndryshimeve ligjore kërkon kohë, por ka vlerësuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe zotimin e kryeministrit Albin Kurti për amandamentimin e Ligjit pa ndërprerë ofrimin e shërbimeve publike.

“Patëm një takim të mirë këtë mëngjes ku mirëpritëm angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe vendimin e saj të dhjetorit për të zbatuar gradualisht Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, gjë që mundëson një fushatë gjithëpërfshirëse dhe të qasshme informuese për ata që preken”, tha Sorensen.

“Kemi parasysh përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për integrimin e institucioneve të Kosovës për përfshirjen e komuniteteve në harmoni me zotimet që kanë dalë nga marrëveshjet e ndryshme me BE-në dhe për zotimin e Kurtit për amendamentimin e ligjit për të mos e ndërprerë ofrimin e shërbimeve në suaza të kornizës ligjore që ekziston. Të gjitha këto ndryshime ligjore kërkojnë kohë. Përpjekjet duhet të jenë përfshirëse dhe të konfirmohen në harmoni me të gjitha marrëveshjet e dialogut”, tha ai.

Sorensen gjithashtu theksoi rëndësinë e konsultimeve me përfaqësuesit e komunitetit serb për të siguruar pajtimin e tyre dhe zbatimin e një procesi të drejtë dhe gjithëpërfshirës.

“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore”, tha ai.

Ndërsa, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, tha se është arritur pajtimi që zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe ai për Automjete të nisë zbatimin nga nesër me disa masa shtesë.

“Jemi përqendruar për zbatimin e ligjit për të huajt, që do të fillojë nga nesër. Kemi pasë bisedime intensive me Qeverinë e Kosovës gjatë javëve të fundit dhe sot është arritur pajtimi zbatimit të Ligjit mbi të Huajt me disa masa përmbajtjesore shtesë, sidomos kur bëhet fjalë për regjistrimin e banorëve serbë të Kosovës dhe personave me leje qëndrimi të përkohshme”, deklaroi ai në konferencë.

Kryeministri Albin Kurti në konferencë për media tha se procesi i zbatimit të ligjeve për të huajt dhe për automjete do të bëhet në koordinim të ngushtë me Sorensenin dhe serbët lokalë.

Ai tha se asnjë qytetar të mos druhet nga ligji për të huajt.

“Qëllimi final i inkorporimit nuk është zvogëlim i cilësdo të drejtë, por fuqizim i tyre. Rrjedhimisht asnjë qytetar i Kosovës nuk e ka arsyen më të vogël që t’i druhet këtij inkorporimi, por t’i gëzohet benefiteve nga i gjithë ky proces. I gjithë ky proces do të bëhet në koordinim të ngushtë me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialog, por edhe në koordinim të vazhdueshëm me serbët lokalë. Për ne është me rëndësi që gjatë legalizimit, qytetarët serbë të besojnë në përfitimiet nga procesi dhe detyrimet që burojnë nga marrëveshjet e Brukselit dhe korniza ligjore e Kosovës”.

“Qeveria do të pajiset nga krerët lokalë me lista të stafit shëndetësor dhe akademik që janë të angazhuar në ofrimin e këtyre shërbimeve. Lista që do shërbejnë si bazë për dhënien e lejeve të përkohshme të qëndrimit për qytetarët e huaj që aplikojnë në MPB. E njëjta vlen edhe për studentët e huaj që qëndrojnë në Kosovë, për të cilët krerët komunale do ofrojnë listën e plotë. Këtyre studentëve MPB do ju ofrojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj me mundësi vazhdimi”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se për tre muaj qytetarët serbë do të mund të regjistrojnë gjendjen civile.

“Qeveria po ashtu do hap një dritare të re 3-mujore për të mundësuar qytetarëve serbë të “regjistrojnë faktet civile që deri më 15 mars 2026 janë regjistruar nga strukturat ilegale. Në këtë periudhë aplikantëve do u lejohet përdorimi si mjet identifikimi i ID kartës të lëshuar nga strukturat jolegale”, ka deklaruar Kurti.

Ligji për të huajt parasheh që të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë më shumë se tre muaj ose vetëm në bazë të autorizimit.

Për shtetasit e huaj që i shkelin kushtet e qëndrimit në Kosovë, Ligji për të Huajt parasheh masa të rrepta nga gjoba e deri tek urdhri për largim nga vendi.

Ligji i prek më së shumti shtetasit e Shqipërisë dhe të Serbisë. Një sektor i prekur janë punonjësit dhe studentët e Universitetit në Mitrovicë të Veriut.

Serbia e ka kritikuar zbatimin e këtyre ligjeve. Zyrtarë serbë kanë pretenduar se zbatimi rrezikon largimin e komunitetit serb nga Kosova.

Këto ligje janë kundërshtuar nga autoritetet në Serbi dhe nga Lista Serbe.

Ligji për të huajt ishte miratuar më 2013. Ai për automjetet më 2017. Zbatimi i tyre u paralajmërua për fundin e vitit të kaluar, ndërsa më pas u shty për janar. Autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar fushatë informuese për disa javë në atë periudhë. Pas kësaj, u shty sërish deri më 15 mars. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco