Deputeti i VV-së, ambasadorëve: Mos e shkatërroni Kushtetuesen me vizita e ndërhyrje…

Deputeti i VV-së, ambasadorëve: Mos e shkatërroni Kushtetuesen me vizita e ndërhyrje…

13:27, 11/03/2026

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u ka bërë thirrje disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Në një shkrim në Facebook të mërkurën, ai ka deklaruar se ndërhyrjet e mundshme përmes vizitave apo takimeve mund të dëmtojnë rëndë institucionin më të lartë kushtetues në vend.

“I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka thënë Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese aktualisht po shqyrton ankesën e Vetëvendosjes për dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarje të Kuvendit.

Më 9 mars, Kushtetuesja vendosi masë të përkohshme deri më 31 mars, periudhë gjatë së cilës presidentja nuk mund të shpallë zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të zhvillojë aktivitetin e tij.

Dekreti i Osmanit për shpërndarje të Kuvendit erdhi pas dështimit që më 5 mars të zgjidhet presidenti i ri. Në seancën e 5 marsit, LVV-ja i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.

Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.

Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme - në të cilin nuk mori pjesë VV-ja.

Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.

Por, partia në pushtet ka pretenduar se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese./Koha.net/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco