Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo. Ai ka thënë se dekreti i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin është jokushtetues.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, ka thënë ai.
Kurti tha se në situatën në të cilën ndodhet vendi, nuk mund të flitet për zgjedhje të reja, ndërsa fajësoi opozitën që munguan në seancën e mbrëmshme për zgjedhjen e presidentit.
“Ky proces nuk arriti ta konsumojë as raundin e parë meqë mungoi opozita dhe partia që dirigjohet nga Beogradi, lista Serbe. Të gjithë e keni parë pamjen e seancës, kush ishte, ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër, nuk ishte fare, se nuk erdhi. Asnjë deputet që mungoi, nuk e njoftoi kryetaren e Kuvendit. Është obligim kushtetues i deputetëve të kryejnë detyrën e tyre, për çfarë i ka zgjedhur populli i Kosovës dhe të vijnë në vendin e tyre të punës dhe të marrin pjesë e të votojnë. Ndodhemi në një situatë kur nuk mund të flasim për zgjedhje të reja, pa e thënë fjalën e vet gjykata kushtetuese“, deklaroi Kurti.
Kreu i VV-së mungoi sot në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, për të diskutuar për datën e zgjedhjeve, veprim ky qe erdhi pas dekretit për shpërndarjen e Kuvendit.
Këtë vendim të Osmanit, Vetëvendosje tha se do ta çojë në Kushtetuese, ndërsa po në këtë gjykatë, mbrëmë kryeparlamentarja ka bërë kërkesë që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh.
© SYRI.net