'Po luhen pazare politike me poste dhe vota', Seiti: Ngërçi për nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës është artificial

13:10, 31/08/2025

Gazetari Gazmend Seiti, i ftuar në edicionin informativ të mesditës në Syri TV, tha se ngërçi aktual politik për zgjedhjen e nënkryetarit të Parlamentit është artificial dhe i ndërtuar mbi pazare politike të brendshme.

Sipas Seiti, arsyeja kryesore lidhet me mungesën e një kandidati të pranuar nga të gjitha palët, pasi emri i propozuar nga pakica serbe nuk është votuar në Parlament për shkak se Lista Serbe që tradicionalisht përfaqëson interesat e kësaj pakice cilësohet si organizatë terroriste nga Vetëvendosja.

Në këtë situatë, qeveria dhe partia në pushtet kanë marrë në dorë kontrollin e procesit, duke paraqitur një listë kandidatësh që nuk kanë marrë votat e nevojshme në dy raunde votimi.

Gazetari shton se përpjekjet për ta zgjedhur Rashiqin si zëvendëskryetar vijojnë përmes negociatave të brendshme dhe ofertave politike, ku përfliten edhe mandate drejtorish si pjesë e pazareve. Një mbledhje e re e kryesisë është parashikuar të mbahet nesër, ku Dimal Basha i ngarkuar nga kryeministri Kurti do të vijojë bisedimet për sigurimin e votave të nevojshme për të kaluar kandidaturën.

Gazment Seiti:

"Unë mendoj se ky ngërç politik është artificial, duke pasur parasysh formën sesi e kanë strukturuar deri tani, për shkak se pakica serbe, meqenëse nuk ka ndonjë kandidat të preferuar (sepse i vetmi që është propozuar prej tyre nuk është i pranuar nga Parlamenti, pasi Lista Serbe cilësohet si organizatë terroriste nga ana e Vetëvendosjes).

Janë ata të cilët kanë vendosur emrat e tyre; është qeveria, është partia në pushtet që ka mbledhur gjithë pjesën e kryesisë duke nxjerrë disa emra që ia kanë propozuar Parlamentit për t’i votuar.

Mirëpo, kjo listë e propozuar nga Vetëvendosja, pa partitë e tjera të vogla, nuk kanë marrë votat e nevojshme për të qenë si nënkryetar të Parlamentit.

Në të dy raundet e kaluara nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme për të qenë nënkryetar. Njëkohësisht kanë vijuar pjesa e tentativave për të marrë vota të tjera, për të zgjedhur Rashiq si zëvendëskryetar.

Për nesër është parashikuar të zhvillohet një takim i Dimal Bashës, do të zhvillohet një mbledhje kryesie – kjo mbledhje është tentativë për t’u mbushur mendjen dhe janë pazare të reja për të diskutuar mandatet.

Mund të ketë mandate drejtorish, e jo deputetësh. Janë duke u diskutuar nga Dimal Basha, i ngarkuar nga Kurti për të dhënë ofertat e tyre, duke siguruar votat e nevojshme për të dhënë emrin e nënkryetarit".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco