Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka reaguar pasi që sot në publik doli një shkrim i tij si bashkëautor me Jana Arsovska e ku fyhet e akuzohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Ndonëse revista komplet punimin e prezanton në bashkautorësi të Bashës dhe Arskovskas, kreu i ri i Kuvendit thotë se ai është autor i pjesës vetëm ku në kapitullin që trajton islamin fundamental në Kosovë dhe Evropën Juglindore, shkruan Gazeta Online Reporteri. net.
Kthimin e shkrimit të tij në fokus, ai e quan si sulm “me të pavërteta nga qarqe të caktuara”.

“Punimi që po qarkullon në media është i vitit 2012, në kohën kur unë kam qenë student. Autorësia ime në këtë artikull i përket vetëm Kapitullit 3, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën. Këtu përfundon përgjegjësia ime lidhur me punimin në fjalë. Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull.”, ka shkruar Basha.
Kreu i sapo zgjedhur i Kuvendit thotë se e çmon lart luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e popullit tonë për liri.
“Nga goja ime dhe nga duart e mia nuk është shkruar dhe nuk do të mund të gjendet asnjë përmbajtje që bie ndesh me këtë vlerë të shenjtë të popullit tonë. I kërkoj falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim i rremë, dhe prandaj lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës.”, ka shkruar Basha.
Sot në vëmendjen e publikut u kthye një artikull “shkencor” i Bashës i botuar në revistën “Open Edition Journalist” në bashkëautorësi me Jana Arsovska.
“UÇK u financua nga para të drogës dhe trafikantëve të drogës”, “Trafikant të drogës dërguan njerëz të armatsur të luftojnë përkrahë tyre”. “Konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ndërtimit të kombit”., thuhej aty.
Artikulli në fjalë i Dimal Bashës dhe Arsovskës, portretizojnë një luftë çlirimtare shqiptare të gërshetuar me krim transnaciona dhe trafikantë të drogë.
Ja disa prej pretendimeve më monstruoze të Dimal Bashës:
“UÇK-ja nuk mbështetej zyrtarisht nga asnjë shtet, kështu që duhej të mbështetej në burime të tjera alternative financimi (Raufer, 2003; Lewis, 2011; Lowen, 2011). Sipas rasteve të hetuara, fondet për UÇK-në vinin nga shqiptarë të zakonshëm në diasporë, si dhe nga trafikantë droge që vepronin në të gjithë Evropën Perëndimore dhe SHBA-në. Kjo mbështetje nuk kufizohej vetëm në para, por trafikantët e drogës dërgonin gjithashtu njerëz të armatosur për të luftuar përkrah UÇK-së dhe blinin armë në emër të UÇK-së.8 Ndërsa lidhja midis UÇK-së dhe krimit të organizuar është e vështirë të përcaktohet, ka raste gjyqësore të njohura nga Gjermania, Italia, Belgjika dhe Republika Çeke, të cilat sugjerojnë fuqimisht një lidhje midis trafikantëve të drogës dhe UÇK-së (Jonsson, 2013)”, shkruan në shkrimin e Bashës dhe Arskovskas.
“Në Belgjikë, i ashtuquajturi shef i ‘mafias shqiptare’ VH la plumba para dyerve të njerëzve nga diaspora shqiptare si një kujtesë se taksat ‘vullnetare’ që ata duhej të paguanin në mbështetje të qeverisë në hije dhe UÇK-së nuk ishin realisht “vullnetare”.9 Mbijetesa e UÇK-së varej nga financimi i ofruar nga banditët patriotë që vepronin përtej kufijve. Të ashtuquajturat taksa vullnetare u dërgoheshin organizatave humanitare si Vendlindja Thërret ‘Atdheu thërret’. Xhavit Haliti ishte ish-kreu i logjistikës për UÇK-në dhe deri në vitin 2011 ishte një deputet i lartë për partinë PDK në Kosovë. Sipas një raporti të inteligjencës së KFOR-it, Haliti drejtoi Fondin Atdheu Thërret dhe kur financimi u tha, “u drejtua krimit të organizuar në një shkallë të gjerë”.
“Ngjashëm me Bosnjë-Hercegovinën, konflikti etnik legjitimoi dhe mbështeti lidhjen ndërkombëtare kriminale-politike të Kosovës në emër të ‘ndërtimit të kombit’. Konflikti u dha kriminelëve një mundësi për çlirim episodik nga kufizimet morale.11 Për më tepër, agjencitë perëndimore të inteligjencës gjithashtu mbyllën sytë ndaj lidhjes kriminale-politike që po shfaqej në Kosovë. Që nga fillimi i viteve 1990, shumë veta kanë qenë të vetëdijshëm për lidhjen midis UÇK-së dhe trafikantëve të drogës (Layne, 1999). Pas përfundimit të luftës së Kosovës, u raportua se Kosova u bë tokë pjellore për trafikantët e drogës dhe se sasitë e heroinës së trafikuar përmes Kosovës u dyfishuan (Klebnikov, 2000; Qendra për Studime Gjeopolitike të Drogës 2011). Pas konfliktit, vetë UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht, megjithatë, shumë nga ish-komandantët e UÇK-së shpejt vunë një kapelë tjetër dhe u futën në politikë. Me politikën erdhi edhe krimi (Jonsson, 2013; Mitchell, 2002; Marty, 2010; Brunnwasser, 2011; ICG, 1999). Ish-komandantët e UÇK-së shpesh pretendojnë se të gjitha akuzat kundër tyre janë vepër e komploteve të huaja”, thuhet me tej në artikull.
© SYRI.net