'Shteti në vdekje klinike'/ Muhaxheri: LVV po bllokon krijimin e institucioneve, Kosova në krizë të thellë

13:02, 24/08/2025

I ftuar në intervistën e ditës në Syri TV, analisti Artion Muhaxheri deklaroi se Kosova ndodhet në një krizë të thellë institucionale dhe politike, si pasojë e qëllimshme e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po refuzon të arrijë marrëveshje me opozitën për krijimin e institucioneve të reja.

 Sipas Muhaxherit, propozimi i figurave si Dimal Basha dhe Albulena Haxhiu për drejtimin e Kuvendit është një përpjekje e vetëdijshme për të provokuar opozitën dhe për të bllokuar procesin.

Ai theksoi se shteti është në ‘vdekje klinike’, ndërsa pasojat e kësaj loje politike do t’i ndjejë çdo qytetar dhe çdo parti në zgjedhjet e ardhshme.

Pjesë nga deklarata:

Ne në Kosovë kemi harruar edhe numrin e seancave të mbajtura – aq shumë kanë dështuar këto seanca. Përgjegjësia për ta krijuar Kuvendin e Kosovës i takon partisë Vetëvendosje. Ajo po përpiqet të mos krijojë institucione, prandaj po propozon figura të saj, të cilat opozita nuk i pranon.

Opozita, me të drejtë, kërkon një marrëveshje politike për t’i votuar kandidatët, sepse Kushtetuta ia jep të drejtën partisë fituese që të propozojë, por nuk garanton votimin pa konsensus. Megjithatë, kjo parti është futur në lojëra politike, sepse nuk dëshiron krijimin e institucioneve.

Të votohet Dimal Basha apo Albulena Haxhiu është ndoshta degradimi më i madh që mund t’i bëhet këtij institucioni të parë në Republikën e Kosovës. Në Kuvend ka figura të tjera të denja, më të pranueshme se ata që janë propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si p.sh. Shqipe Selimi, për të cilën pozita është shprehur se do ta votojë.

Vetëvendosja, me qëllim, po propozon njerëz që e di se opozita nuk do t’i votojë, dhe për këtë arsye jemi aty ku jemi sot. Sigurisht, mendoj se ka edhe elementë të opozitës që kanë deklaruar se nuk e votojnë qeverinë, por deputetët. Megjithatë, nuk bëhet shaka me Kuvendin – të votohet Dimal Basha!

Ai njihet për një gjuhë përçarëse ndaj partive opozitare, ka qenë shpesh sulmues me retorikën e tij kundrejt Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, dhe kjo nuk i bën nder Kuvendit të Kosovës. Ne e dimë kush është Dimal Basha, dhe realisht ai nuk është një figurë unifikuese që duhet të jetë në krye të Kuvendit.

Nuk po them që partitë opozitare nuk kanë përgjegjësi ato kanë, në përputhje me numrin e votave që kanë. Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë se si duhet të krijohen institucionet në vend.

Nuk është e drejtë t’i thuash opozitës: “Keni detyrë të më votoni”, pa krijuar më parë një marrëveshje. Prandaj kemi arritur në këtë banalizim. Mendoj se përgjegjësia duhet të ndahet sipas numrit të mandateve që ka secila palë.

Por sa ka humbur Kosova nga moskrijimi i institucioneve? Shteti është në vdekje klinike. Ekonomia është në gjendje të mjerueshme, të gjitha fushat janë më keq se kurrë, dhe 120 anëtarët e Kuvendit po bëjnë shaka me qytetarët. Kjo do t’u kushtojë të gjitha partive në zgjedhjet e ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco