Policia e Kosovës ka dalë me detaje lidhur me aksidentin me fatalitet që ndodhi sot në magjistralen Pejë-Prishtinë mes një autobusi dhe një veture, saktësisht në fshatin Dollc.
Sipas Policisë, deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa drejtuesi i veturës ishte duke qarkulluar nё drejtimin Prishtinё–Pejё, ku me tё arritur në fshatin Dollc, duke mos iu pёrshtatur shpejtёsisё dhe kushteve tё rrugёs, humb kontrollin mbi automjet dhe kalon nё shiritin pёr lëvizje nga ana e kundёrt dhe godet autobusin nё pjesёn ballore.
Nga ky aksident kanë mbetur të lënduar edhe pesë persona.
“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, i cili po ashtu ishte në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion”, thuhet në njoftim.
Me reagim ka dalë edhe kompania, autobusi i së cilës ka qenë i përfshirë në aksident.
“Me keqardhje të thellë ju njoftojmë se sot ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë njëri nga autobusët e kompanisë sonë dhe një automjet tjetër. Fatkeqësisht, si pasojë e këtij aksidenti, ka humbur jetën shoferi i veturës. Ne shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e tij në këtë moment të vështirë. Shoferi dhe pasagjerët tanë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut”, thuhet në njoftim.
Për rastin ka njoftuar edhe Spitali i Pejës:
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë njofton opinionin publik se, si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në fshatin Dollc të Klinës, në Emergjencën e Spitalit është sjellë një person pa shenja jete. Gjithashtu, deri më tani kemi pranuar 5 persona të lënduar nga ky aksident, të cilët po trajtohen dhe po marrin kujdesin e nevojshëm nga ekipet tona shëndetësore”, thuhet në njoftim.
© SYRI.net