Kurti: Ofruam dy kompromise, mosmarrëveshjet s’i zgjidh Kushteteusja!

Kurti: Ofruam dy kompromise, mosmarrëveshjet s’i zgjidh Kushteteusja!

11:40, 08/08/2025

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se partia e tij ka ofruar kompromise dhe ka qenë e gatshme për bashkëpunim, por partitë e tjera nuk kanë ndërmarrë hapa të njëjtë.

Kurti ka deklaruar se, edhe pas këshillës së Gjykatës Kushtetuese që partitë të bien dakord mes njëra-tjetrës, PDK-ja dhe LDK-ja kanë dorëzuar lëndë të reja në këtë gjykatë.

“Ne kemi ofruar dy kompromise. I pari ka qenë që, nëse me votim të fshehtë nuk zgjidhet Albulena Haxhiu, ne do të sjellim një emër tjetër. Kompromisi i dytë ka qenë që të merremi vesh për një paketë ku përfshihen kryetari dhe nënkryetarët. Ne kemi bërë hapa, nuk ka pasur hapa nga pala tjetër. Kur Gjykata, përmes një vendimi paraprak, na ka thënë se marrëveshjet politike duhet të arrihen mes grupeve parlamentare, sepse ajo nuk zgjidh mosmarrëveshjet politike, menjëherë dy parti e dërguan çështjen në Kushtetuese. Nëse Gjykata thotë “Uluni dhe merruni vesh”, ti nuk shkon të dorëzosh lëndë në Gjykatë. LDK dhe PDK menjëherë kanë shkuar në Gjykatë, sikur të mos kishte pasur fare një vendim paraprak.Aktgjykimin e kemi respektuar, dhe jam unë ai që kam shkruar letrat për konsultime”, ka thënë Kurti, pas përurimit të shërbimit të dializës në Podujevë.

Ndërkohë të martën e 6 gushtit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi tërheqjen e kërkesës së  saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, përmes së cilës kërkoi sqarim se cilat janë pasojat juridike, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik.

Arsyeja e tërheqjes së kërkesës drejtuar gjykatës është sipas Presidentes Ormani gjyqtari me përkatësi serbe në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban, i cili ishte caktuar nga gjykata si gjyqtar raportues për kërkesën e saj.

Sipas Osmanit caktimi i z. Laban si raportues për shqyrtimin e kërkesës së saj, "është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco