Prishtinë/ Mijëra qytetarë protestojnë kundër Gjykatës Speciale, kërkohet lirimi i ish-krerëve të UÇK-së

Prishtinë/ Mijëra qytetarë protestojnë kundër Gjykatës Speciale, kërkohet lirimi i ish-krerëve të UÇK-së

18:34, 07/08/2025

Mijëra qytetarë u mblodhën pasditen e sotme në sheshin e Prishtinës për të protestuar kundër Gjykatës Speciale,“kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Protesta u organizua nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe zgjati për gati 1 orë.

Gjykata Speciale u akuzua se është e njëanshme dhe se po tenton ta zhvendosë fajin nga "pushtuesit te çlirimtarët". Po ashtu u tha se drejtësia selektive prodhon padrejtësi.

Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, në fjalimin e mbajtur në protestë tha se Gjykata Speciale në Hagë devijoi nga misioni i saj dhe po e deformon historinë.

Lexo dhe: ​Gucati: Po e deformon historinë! Nuk ka gjykatë që fshin gjenocidin serb

Protestuesve u është drejtuar edhe Nevenka Tromp, ish-hetuese e Tribunalit të Hagës në rastin kundër Sllobodan Millosheviçit. Ajo theksoi se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Tromp deklaroi se gjykata, ligjet dhe profesionistët e drejtësisë duhet të veprojnë në mënyrë të paanshme.

Lexo dheHetoi Millosheviçin, Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës: Kosova nuk është kompromis, është shtet sovran

Ndërkohë Ali Ahmeti kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni të Veriut, tha se populli shqiptar nuk pranon që historia e tij të shkruhet nga të huajt, “me gjithë respektin që ka për ta”. Ai  tha se Serbia po bën çdo gjë për të zhbërë pavarësinë e Kosovës përmes Gjykatës Speciale të Hagës. 

Gjatë fjalimit, ai kërkoi nga përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë në Këshillin e Evropës të kërkojnë rishikimin e rezolutës, mbi pretendimet e të cilës u krijua Gjykata Speciale.

“Shpifje monstruoze, idoteske se gjoja UÇK-ja ka bërë trafikim organesh, përpara së vërtetës dështuan të gjithë antishqiptarët që përgatitën një dosje të verdhë për të komprometuar historinë më të lavdishme të shqiptarëve: UÇK-në”, tha Ahmeti.

“Nuk pranojmë që historia të shkruhet nga të huajt, aq më pak nga një Gjykatë që nuk është kompetente për këtë dhe që i ka humbur integriteti”, shtoi ai.

Lexo dhe: Ahmeti: Ish-krerët e luftës po mbahen padrejtësisht në Hagë! Shqiptarët s’pranojnë që historia e tij të shkruhet nga të huajt

Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është "dhjetë vjet e vonuar" pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër "pushtetit të atëhershëm".

Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur me ndihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3.000 prova materiale.

ZPS-ja deklaroi më 16 prill se ka përmbyllur paraqitjen e provave ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Tani radhën e ka mbrojtja për të paraqitur rastin. Por, avokatët e ish-krerëve të UÇK-së janë ankuar se trupi gjykues u ka shkurtuar afatin për përgatitjen e mbrojtjes së tyre. Mbrojtja pritet të thërrasë dëshmitarët dhe të paraqesë rastin e saj në fund të gushtit apo në fillim të shtatorit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasjen e më shumë se 100 viktimave si dhe mbajtjen në paraburgim në mënyrë të paligjshme e torturimin e qindra viktimave.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Për krijimin e kësaj gjykate kishin votuar 88 deputetë nga Partia Demokratike të Kosovës, Lidhja Demokratike të Kosovës, Lista Serbe, komuniteteve të tjera joshumicë dhe deputetë pa grupe parlamentare. Pesë deputetë të PDK-së kishin votuar kundër dhe një prej tyre kishte abstenuar. Partitë që atëbotë ishin në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishin kundërshtuar themelimin e Speciales.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata Speciale financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia. Në dy vjetët e fundit ajo e ka pasur një buxhet prej rreth 100 milionë eurosh.

Në të kaluarën janë mbajtur protesta në Kosovë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë tentuar ta shpërbejnë Gjykatën Speciale më 2017, por pa sukses.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco