Protestë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, Gucati: Po e deformon historinë! Nuk ka gjykatë që fshin gjenocidin serb

Protestë në Prishtinë kundër Gjykatës Speciale, Gucati: Po e deformon historinë! Nuk ka gjykatë që fshin gjenocidin serb

17:17, 07/08/2025

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati.

Gucati, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë ka devijuar nga misioni i saj dhe po e deformon historinë. 

“Po tenton të krijojënarrativë të rrejshme, se Kosova është çliruar nga kriminelet. Ndërkohë e vërteta është krejt tjetër. UÇK-ja, bashkë me NATO-n me në krye Amerikën e çliroi Kosovën nga kriminelët e Beogradit. Sot Gjykata në Hagë po gjykon aleatët e NATO-s, Hashimin, Kadri Verselin, bacën Jakup, Rexhep Selimin, Calin e Pjetër Shalën.

Po kriminalizohet UÇK. Ishte luftë për jetë e liri. Gjykata në Hagë më shumë i ka shërbyer Serbisë sesa drejtësisë. E vërteta nuk fshihet dot. Plagët janë të hapura e populli i Kosovës nuk harron....Shteti i Kosovës dhe Parlamenti i Kosovës janë tradhtuar. Besimi jonë është tradhtuar. S’kemi më besim. Boll testuat durimin tonë. Boll e njollosët luftën e gjakun tonë. S’ka gjykatë që mund t’i fshijë gjurmët e gjenocidit serb mbi popullsinë shqiptare. Me këto gjykime politike padrejtësia është edhe më e rrezikshme se lufta, po bëni krim. Çdo drejtësi e devijuar është krim. Ju po bëni krim ' tha Gucati.

Folës në protestë janë edhe kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe Nevenka Tromp, e cila për një dekadë ka qenë hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Protesta e organizuar nga veteranët e UÇK-së është përkrahur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe eksponentë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se protesta është "dhjetë vjet e vonuar" pasi në kohën kur është themeluar Gjykata është dashur që të protestohet kundër "pushtetit të atëhershëm".

Në Dhomat e Specializuara – që njihen ndryshe edhe si Gjykata Speciale – rasti kryesor po zhvillohet kundër ish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit të Kosovës, Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Veteranët e UÇK-së kanë kundërshtuar trajtimin që po iu bëhet atyre nga Gjykata dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, por po ashtu kanë kritikuar Qeverinë aktuale në Kosovë lidhur me ndihmën financiare për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se i ka ndarë në total rreth 33 milionë euro për mbrojtjen e të akuzuarve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco