Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot përpjekjen e 50-të për konstituimin e legjislaturës së re, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, mes paralajmërimeve për një krizë të re institucionale. Me vetëm një javë të mbetur nga afati 30-ditor i caktuar nga Gjykata Kushtetuese më 26 qershor, situata në skenën politike kosovare po bëhet gjithnjë e më e tensionuar.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, deputetët kanë në dispozicion edhe tre tentime për të arritur formimin e institucioneve të reja, por pa një plan të qartë në rast të dështimit të tyre. Juristë dhe njohës të zhvillimeve politike thonë se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit ligjor do të krijonte një vakum të rrezikshëm institucional.
Avokati Valdet Hoxha shprehet se mungesa e një mekanizmi të përcaktuar se çfarë ndodh nëse dështon edhe ky afat, rrit rrezikun për një krizë të re politike e kushtetuese në vend. Në këtë situatë, të gjithë sytë janë sot nga Kuvendi dhe deputetët, të cilëve u takon të evitojnë një bllokim të ri institucional në Kosovë.
© SYRI.net