Nga fiskalizimi tek urat: Vendimet e Qeverisë në Kosovë vihen në pikëpyetje

Nga fiskalizimi tek urat: Vendimet e Qeverisë në Kosovë vihen në pikëpyetje

07:18, 18/07/2025

Qeveria në detyrë e Kosovës miratoi rreth 12 vendime pas datës 27 mars, kur u shpallën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare.

Një nga vendimet e fundit, që u publikua më 9 korrik në Gazetën Zyrtare të Kosovës, ka të bëjë me ndërtimin e një shkolle muzike dhe të një muzeu në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë – për çka u ndanë rreth gjysmë milioni euro.

Aty ka edhe vendime për shqyrtimin e shpronësimit të tokës në rajonin e Gjilanit, emërimin e drejtorit të Bordit udhëheqës për ndërmarrje publike, rritjen e përfitimeve për nënat e të tjera.

Ministrat në Qeverinë në detyrë miratuan edhe udhëzime administrative – në mesin e tyre ai për përdorimin e pajisjeve fiskale elektronike, të cilin Gjykata Supreme, më 15 korrik, e shpalli të paligjshëm dhe e anuloi.

Gjykata konstatoi se një qeveri në detyrë mund të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe ato të planifikuara në planin vjetor të punës së qeverisë, dhe se nuk ka të drejtë të miratojë akte të reja nënligjore.

Ky udhëzim ishte botuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill dhe ishte lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Përndryshe, shumica e ministrave në Qeverinë në detyrë të Kosovës janë deputetë në institucionin ligjvënës, i cili nuk është konstituuar ende, për shkak të mosmarrëveshjeve politike midis partive parlamentare.

Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, dhe vetë ministri në detyrë, Murati, e kritikuan vendimin e Gjykatës Supreme, duke e quajtur “arbitrar” dhe të pabazuar në ligj.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, dhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, reaguan gjithashtu, duke vlerësuar se ndërhyrja politike në gjyqësor është “e papranueshme”.

Çfarë do të ndodhë me vendimet e marra?

Profesori Kadri Kryeziu, ish-nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë, sipas vendimit të Gjykatës Supreme, është e detyruar t’i tërheqë vendimet e marra pas 27 marsit – datë kur u konfirmuan mandatet e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

“Vendimet e Gjykatës Supreme janë finale për aq sa i përket interpretimit të ligjit, përfshirë edhe atë për Qeverinë”, thotë ai, por shton se në vendimin e 15 korrikut, Gjykata Supreme “ka bërë referenca kushtetuese që lënë hapësirë për përfshirjen e mundshme të Gjykatës Kushtetuese”, nëse palët vendosin të ndjekin një rrugë të tillë.

“Sipas mendimit tim, Ligji për Qeverinë është i hartuar dobët dhe keq, ka shumë dykuptimësi, por edhe kontradikta. Kjo lë hapësirë që çështja të politizohet dhe kjo nuk është gjë e mirë”, thotë Kryeziu.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme e ka bërë të qartë se Qeveria në detyrë ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet, duke i lënë deputetët të kryejnë funksionin e ministrave.

“Prandaj, të tetë ministrat, përfshirë kryeministrin, të cilët mbajnë dy poste, po e shkelin ligjin”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, të gjitha vendimet e marra nga ministrat në Qeverinë në detyrë mund të kundërshtohen në gjykatë dhe të përmbysen.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco