Ngërçi në Kosovë drejt fundit?/ Zhitia: Vetëm 10 ditë nga afati kushtetues, Limaj kërkoi takim me Kurtin, kush janë skenaret

20:27, 16/07/2025

E ftuar në edicionin e mbrëmjes në Syri TV, gazetarja Albionë Zhitia komentoi situatën politike në Kosovë, duke analizuar dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Në bisedë me moderatorin Edvin Parruca, Zhitia u shpreh se elementi zhbllokues i ngërçit në Kosovë pritet të jetë Fatmir Limaj, gjithmonë nëse ky i fundit lëshon pe nga kërkesa e tij e parë që të jetë ai kryekuvendari i Kosovës dhe jo Albulena Haxhiu.

Ajo shtoi se edhe në këtë pikë topi kalon tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili duhet të vendosë nëse do të tërhiqet nga kandidatura e Vetëvendosjes për Haxhiun, apo do të pranojë propozimin e Limajt.

Sipas Zhitias, Limaj ka kërkuar vetë një takim me Kurtin, të cilin e ka quajtur “një kafe”, për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje që do ta nxirrte vendin nga kriza politike. Ajo theksoi se janë gjashtë muaj pa konstituim dhe afati i fundit i vendosur nga Gjykata Kushtetuese është më 26 korrik, pra brenda më pak se 10 ditësh.

Nëse ngërçi nuk zgjidhet dhe seancat vijojnë çdo 48 orë, siç ka ndodhur për tre muaj me radhë, mbetet të shihet nëse presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarime mbi hapat e ardhshëm – shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja apo gjetjen e një formule të re për të dalë nga situata.

Zhitia vijoi analizën duke kujtuar se jemi në pritje të një takimi mes Fatmir Limajt dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që pritej të ndodhte sot, por deri në momentin e transmetimit të intervistës ende nuk ishte zhvilluar. Kërkesa për takim është pranuar nga Kurti.

Zhitia:

Elementi zhbllokues i ngërçit në Kosovë pritet të jetë Fatmir Limaj, gjithmonë nëse ky i fundit lëshon pe nga kërkesa e tij e parë që të jetë ai kryekuvendari i Kosovës dhe jo Albulena Haxhiu.

Por edhe në këtë pikë e kemi pastaj topin tek kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili do të vendosë nëse do të tërhiqet nga kandidatura e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, apo do ta pranojë propozimin e Fatmir Limajt.

Ky i fundit ka kërkuar vetë një takim, ‘një kafe’ siç e ka quajtur ai, me kryeministrin në detyrë, z. Kurti, për të diskutuar këtë çështje dhe për të dalë nga ky ngërç politik në të cilin ndodhemi tani e gjashtë muaj dhe që afati i vendosur nga Gjykata Kushtetuese po i vjen fundi, sepse jemi me pak se 10 ditë deri më 26 korrik, afati i fundit deri kur është përcaktuar që të jetë dita e fundit në mënyrë që të kemi një konstituim të Kuvendit.

Në rast se nuk ndodh dhe vazhdojmë me seancat e njëpasnjëshme çdo 48 orë, siç po ndodh tash e tre muaj, mbetet të shihet nëse Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do t’i adresohet Gjykatës Kushtetuese, siç edhe e ka potencuar vetë ajo, për të pyetur më konkretisht se çfarë do të ndodhë tani: të shpërbejë Kuvendin dhe të shkojmë në zgjedhje të reja, apo të gjejmë një formulë të re, pasi është një situatë për herë të parë me të cilën ballafaqihen institucionet e vendit dhe e gjithë politika kosovare.

Siç thamë, jemi në pritje të një takimi mes Fatmir Limajt dhe presidentit të vendit, Albin Kurti, ku kjo pritet të ndodhë sot, por deri më tani ende nuk janë takuar.

Kërkesa është pranuar nga kryeministri në detyrë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco