Kurti, i habitur nga heshtja dhe toleranca e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë

Kurti, i habitur nga heshtja dhe toleranca e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë

09:45, 15/06/2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  i ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni mbi Beogradin. Ai tha se nuk është  i befasuar me veprimet e Serbisë, por është i befasuar me tolerancën dhe heshtjen e ndërkombëtarëve karshi veprimeve të shtetit serb.

Një ditë pas kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës në veri të vendit, kryeministri Kurti në konferencë për media, kërkoi që ndërkombëtarët  të bëjnë trysni mbi Serbinë.

“Gjithashtu bëjmë thirrje për lirimin e policëve. Serbia nuk është që po na befason, nuk ka ndryshuar nga apetitet e saj”, tha ai.

“Ajo që po na befason është toleranca dhe heshtja e ndërkombëtarëve ndaj veprimeve të Serbisë, e cila vazhdimisht po kërkon destabilizim”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Kryeministri tha se me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë, me theks në katër komunat në veri te vendit dhe brezit kufitar me Serbinë.

“Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat e tyre të fundit dhe gjithashtu propozuan rekomandimet”, tha Kurti.

Kurti tha se vendi ku ka ndodhur kidnapimi i policëve të Kosovës nga policia e Serbisë është 1.3 Km brenda territorit të Kosovës, duke shtuar se në vendin e ngjarjes, policia dhe KFOR-i kanë gjetur fakte që e dëshmojnë këtë.

Ai u shpreh se rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit demokratik,  hakmarrje ndaj policisë së Kosovës që po lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohen kur  tashmë është propozuar plani pesë pikësh për shtensionim dhe për normalizim.

Ai tha se institucionet e sigurisë e kanë rritur nivelin e gatishmërisë. “Për arsye të sigurisë si hap i menjëhershëm janë shtrënguar kontrollet kufitare më Serbinë duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet e automjeteve që vijë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, tha ai.

Kurti tha se cenimi i djeshëm nga Serbia, e detyron Kosovën të rrisë kontrollet kufitare që varësisht nga analizat  e vazhdueshme të institucioneve të sigurisë, mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet se mund të përbëjnë rrezik , apo nuk garantohet siguria.

Kurti tha se veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse.

“Synimi ynë është siguria, e siguria fillon tek kufijtë. Ne edhe njëherë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve të rrëmbyer policor, dhe u bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë  që ta dënojnë këtë akt agresioni  të Serbisë dhe të bëjnë trysni  mbi Beogradin zyrtar”.

Tre policë u kidnapuan të mërkurën brenda territorit të Kosovës nga policët serbë.

 Megjithatë, ndërkombëtarët, përfshirë ambasadorët e vendeve të fuqishme në Kosovë, nuk ka bërë ndonjë reagim për rastin.

Ndërkombëtarët vazhdojnë të kërkojnë nga Kurti të ndërmerr hapa konkretë për shtensionimin e situatës në veri.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco