Osmani e nis me fjalët e Rugovës: Integrimi në BE, synimi ynë i vetëm

Osmani e nis me fjalët e Rugovës: Integrimi në BE, synimi ynë i vetëm

12:09, 14/06/2023

Me fjalët “Liri, Pavarësi, Demokraci” të ish-presidentit Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani nisi të mërkurën fjalimin në Parlamentin Evropian.

Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

“Sot, ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, tha Osmani para eurodeputetëve.

Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vite më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov, mbajti fjalim në PE.

“Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja, ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t'u bashkuar në emër të vlerave që përfaqëson ky union. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”.

“Evropa jo vetëm që ia kishte hapur dyert presidentit Rugova, por kishte hapur zemrat dhe mendjet e saj për një popull të shtypur sistematikisht. Sot, duke qëndruar këtu në Strasburg, kam nderin të jem presidentja e parë e Republikës së pavarur të Kosovës që do të flas para Parlamentit Evropian, për t'ju falënderuar për kontributin e pamasë dhe të vazhdueshëm që ky institucion ka dhënë për lirinë, demokracinë tonë dhe pavarësinë”.

Para eurodeputetëve, presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

“Kështu ishte në vitet ’90 e kështu është edhe sot”.

Osmani tha të mërkurën se integrimi euro-atlantik është synimi i vetëm për Kosovën. “Kosova është Evropë, të jesh kosovar do të thotë të jesh evropian”, tha Osmani.

Ajo shtoi se Kosova është vendi më pro-evropian në Ballkanin Perëndimor.

“Ekzistenca e shtetit tonë dëshmon çfarë mund të bëjnë demokracitë kur bëhen bashkë, kur i dalin ballë pushtuesit, kur mbështesin ata që luftojnë për drejtësi dhe barazi, dhe kur ju bashkoheni kundër tiranisë, diktaturës dhe gjenocidit”.

Presidentja Vjosa Osmani iu është drejtuar serbëve duke thënë se Republika e Kosovës është shtëpia e tyre.

“Republika e Kosovës është shtëpia juaj. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që të sigurohemi se ndiheni të përfshirë”, tha Osmani.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco