Kosova në 'aksion', së shpejti rishikimi i teksteve shkollore dhe 'lehtësimi' i çantave

Kosova në 'aksion', së shpejti rishikimi i teksteve shkollore dhe 'lehtësimi' i çantave

21:41, 09/06/2023

Prishtinë - Çantat e rënda të nxënësve në Kosovë, të mbushura me plot libra, po dalin të jenë të mbushura edhe me gabimet që janë në tekstet shkollore.

Nga Erdonit Hoxha, Syri.net Kosova.

Duke qenë se shpeshherë ka pasur ankesa për hartimin dhe plan-programin e këtyre teksteve, është marrë vendim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që të nisë rishikimi i përmbajtjeve mësimore. Kësisoj, ka deklaruar kohë më parë, drejtuesja e kësaj ministrie, Arbërie Nagavci. Mirëpo, këto fjalë të Nagavcit, a kanë mbetur vetëm në kontestin e deklaratës, apo ka nisur vërtetë një proces i tillë?

Syri.net Kosova, në përgjigjen që ka marrë nga ministria mësoi se procesi do të nisë së shpejti, pas, fillimisht është duke u bërë përzgjedhja e ekspertëve të fushës.

“Procesi i rishikimit te teksteve shkollore do të fillojë së shpejti. Aktualisht është duke u zhvilluar procesi i përzgjedhjes së ekspertëve të fushave. Fokusi i rishikimit te teksteve do të jetë në të gjitha dimensionet nga ato përmbajtjesore deri në anën teknike. Pra, për këtë është përgatitur edhe instrumenti vlerësues i cili bazohet disa kritere

Rishikimi i teksteve shkollore do të fillojë me tekstet e matematikës dhe gjuhës shqipe klasa (I - IX), për të vazhduar me tekstet tjera. Secili tekst shkollor do të rishikohet në mënyrë që të sigurohemi që kemi tekste më cilësore” thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Po ashtu, nga kjo ministri, kanë thënë se janë duke e shqyrtuar edhe mundësinë e lehtësimit të çantave të nxënësve, të cilat peshojnë shumë, nga librat.

“Sigurisht edhe kjo pikë do të trajtohet nga ekspertët, duke e verifikuar në detaje secilin tekstet shkollor që do të rishikohen” thuhet më tutje nga MASHTI.

Një tjetër mundësi, në rishikimin e teksteve shkollore, është edhe futja e lëndëve të reja, siç janë ato më të diskutuarat, lënda e edukimit seksual dhe atij fetar.

Mirëpo, siç duket, vetëm lënda e edukimit seksual, pritet të jetë pjesë e lëndëve nëpër shkollat e Kosovës.

“Ministria e Arsimit, tani ka hartuar edhe Udhëzimin administrativ për kurrikulë me zgjedhje dhe njëkohësisht ka përgatitur propozimet për lëndë me zgjedhje ku parashihet që lënda Edukatë seksuale të mësohet në klasën VIII-IX. Po kjo temë mësohet edhe në disa lëndë tjera” shtuan nga ministria.

Kurse, për sa u përket nxënësve të klasës së parë dhe të Abetares që ata do mësojnë, nxënësit nga Kosova do të mësojnë të njëjtën Abetare me ata të Shqipërisë.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë vitin e kaluar e kanë përgatitur dhe përuruar Abetaren e përbashkët unike me të cilën mësojnë vogëlushët e klasës së parë. Pra, tani kemi një Abetare të unifikuar dhe nuk ka abetare tjetër” qartësuan nga MASHTI.

Sido që të jetë, deri me tani, nxënësit kosovarë kanë mësuar me tekste me gabime, qofshin ato jo të sakta, të gabuara në drejtshkrim, apo, teknike.

Madje, për mësuesen nga SHFMU “Motrat Qiriazi” në Klinë, Vlora Bacaj, përpos teksteve jo të duhura, nxënësit ngarkohen edhe me detyra që nuk janë për moshën e tyre.

“Në tekstet shkollore ndonjëherë hasim gabime si gramatikore por ndodh edhe më të dhëna të pasakta që nuk i përgjigjet asnjëri opsion. Këto gabime më të shpeshta janë në lëndën e ku ka të bëjë me ngjarje historike, si dhe detyra të shprehura gabim në lëndën e matematikës. Detyra matematikore sipas mendimit tim nuk janë të përshtatshme me moshat që i përkasin nxënësit. Shpesh hasim detyra që fëmija ngarkohet shumë për moshën që ka” ka thënë Bacaj për Syri.net Kosova.

Të njëjtin mendim e ka thuajse edhe Malsor K., prind i dy fëmijëve që vijojnë mësimin në kryeqytet.

Ai i tha Syrit se shpesh i bie të merret me detyrat e tyre dhe has në disa gabime që i quan “amatoreske”.

“Nuk e di a i ka shikuar dikush këto tekste e këto libra kur kanë dalë nga printimi apo jo, por, mund të them se më ka ndodhur që të has në gabime drejtshkrimore, por edhe me tekste që përmbajnë fjalë jo shqip e në vend të tyre mund të ishin fjalët shqipe, por, edhe në tekste që nganjëherë dinë të jenë “bullizuese” kur autorët bëjnë krahasime me personazhe. Kam dëgjuar që tekstet shkollore do të rishikohen dhe uroj që do të rritet niveli i profesionalizmit në këtë fushë, sepse, të dëmtuar po mbesin fëmijët, sidomos kur po thonë “kështu e kemi mësuar në shkollë!!! E, për këtë punë, dikush duhet me dhënë përgjegjësi” theksoi ai.

Syri.Kosova ndër tjera ka pyetur MASHTI-n se a do nisë viti i ri shkollor 2023-2024 me tekste të 

reja, mirëpo, ata nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco