Escobar sot takohet me liderët shtetërorë të Kosovës

Escobar sot takohet me liderët shtetërorë të Kosovës

10:15, 17/03/2023

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, zhvillon takime me liderët shtetërorë të vendit.

Ai është pritur në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Më pas, Escobar do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, si dhe takimi tjetër do të jetë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Këto takimë mes emisarit amerikan dhe udhëheqësve institucionalë të Kosovës zhvillohen një ditë para se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të takohen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në rundin e ri të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.

Escobar, do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan në Prishtinë vjen pasi ai qëndroi dy ditë në Beograd të Serbisë. Atje, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq.

Gjatë konferencës në Beograd, Escobari u bëri thirrje palëve nga Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive dhe fleksibile gjatë takimit në Ohër.

"Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon", tha i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.

“Pritjet tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe që ata do të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t'i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje”, tha ai.

I dërguari special i SHBA-së tha se nuk pret që gjatë takimit në Ohër të ketë nënshkrime, por theksoi se do të hapet rruga për përparim të mëtejmë.

Zyrtari i lartë amerikan po ashtu tha se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 14 mars se është optimist për takimin e radhës me Serbinë, që zhvillohet më 18 mars në Ohër, por që nuk varet gjithçka nga ai.

“Unë kam ofruar që edhe më 27 shkurt, në Bruksel ta nënshkruajmë propozimin e Bashkimit Evropian, mirëpo pala tjetër nuk ka qenë as e gatshme, as e interesuar”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, një ditë më parë tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në propozimin evropian për normalizim, të pranuar nga Kosova dhe Serbia, që përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.

Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.

Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t'i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese./ REL/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco