Çoi Millosheviçin në gjyq/ Prokurori: Putini duhet gjykuar për krime lufte

Çoi Millosheviçin në gjyq/ Prokurori: Putini duhet gjykuar për krime lufte

11:57, 02/01/2023

Prokurori britanik Jeffrey Nice, i cili ka punuar me Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, i tha BBC-së se presidenti rus Vladimir Putin duhet të mbahet përgjegjës për krimet e luftës në Ukrainë.

Nice shërbeu si kryeprokuror në rastin e ish-udhëheqësit serb Slobodan Millosheviç nga viti 1998 deri në 2006.

Ai i tha “BBC Radio 4” se akuzat kundër Putinit ishin “mjaft të qarta”.

“Këto janë krime kundër njerëzimit sepse objektivat civilë nuk duhet të bombardohen apo sulmohen në asnjë mënyrë”, tha Nice.

Sipas tij, nuk ka dyshim se zinxhiri i komandës të çon drejtpërdrejt te Putin-i.

“Këta janë ushtarët e tij. Së paku, ai e di se çfarë po ndodh nga raportimet televizive – si të gjithë ne. Por ai nuk urdhëroi [ushtarakët e tij] të ktheheshin për të hetuar krimet e dukshme. Ai është fajtor”, theksoi prokurori britanik.

Nice shprehu habinë që prokurorët dhe politikanët nuk po e “formulojnë atë shumë më lirshëm dhe hapur” dhe sugjeroi që Putini në të ardhmen mund të marrë imunitet nga ndjekja penale si pjesë e hetimit për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila ka juridiksion mbi Ukrainën, nuk ka bërë ende asnjë deklaratë në lidhje me përgjegjësinë e Putinit për këtë krim”, u shpreh Nice.

Sipas Nice, është veçanërisht e rëndësishme të gjykohet Putin-i, dhe jo oficerët individualë, sepse në këtë mënyrë “përgjegjësia morale do të vendoset që në fazën e parë dhe më pas nuk do të jetë e mundur të vihet në dyshim ose të ndryshohet”.

Nice shtoi se nga këndvështrimi i tij, gjyqi mund të fillojë “që nesër”, dhe ai duhet të kryhet nga ukrainasit – dhe në gjuhën ukrainase. Në të njëjtën kohë, prania e vetë Putin-it në gjykatë, sipas ish-prokurorit, nuk është e nevojshme.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila po heton krimet gjatë luftës në Ukrainë, ka thënë vazhdimisht se po përpiqet me të gjitha forcat të sigurojë që autorët të mbahen përgjegjës. Autoritetet ruse i kanë mohuar vazhdimisht akuzat për krime lufte.

Pavarësisht dëshmive të shumta për të kundërtën, duke përfshirë ato të regjistruara nga organizatat ndërkombëtare, Moska vazhdon të pretendojë se godet vetëm objektiva ushtarake. /Albanianpost.com

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco