Albin Kurti: Nga sot, 1 shtator 2022, fëmijët e viseve me shqiptarë do të mësojnë shqip me të njëjtën Abetare!

Albin Kurti: Nga sot, 1 shtator 2022, fëmijët e viseve me shqiptarë do të mësojnë shqip me të njëjtën Abetare!

12:36, 01/09/2022

Gjakovë -  "Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë", tha sot Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e përurimit të Abetares së Përbashkët Unike.

Në ceremoninë e organizuar në Gjakovë, së bashku me Ministren e Arsimit të Shqipërisë, Evis Kushi dhe homologen e saj në Kosovë, Arbërie Nagavci, Kurti kujtoi angazhimin ndër breza për ruajtën e gjuhës shqipe.

"Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët", tha ai.

"Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar".

Kryeministri theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë, tha ai.

Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë ka përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëveshqiptarë në mërgatë, që do të shpërndahet gjatë muajit shtator.

Në vazhdim, fjalimi i plotë i z.Kurti.

"Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike"

Albin Kurti: Mirë se po takohemi në këtë ditë të bukur shtatori, këtu në Amfiteatrin e Parkut që mban emrin e poetit të vargjeve kushtrim, Ali Podrimja. Janë bërë 178 vjet, prej kur Naum Veqilharxhi botoi Qarkoren dhe Evetorin e Parë.

Kanë kaluar 114 vite, prej kur dijetarët shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare u mblodhën në Kongresin e Manastirit, apo siç e njohim Kongresin e Alfabetit, për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Kështu u jetësua alfabeti i përbashkët i gjuhës shqipe, të cilin nga sot, fëmijët tanë, anembanë viseve të banuara me shqiptarë, do ta mësojnë si Abetare e Përbashkët dhe Unike.

Populli ynë e di se përbashkimi është i domosdoshëm për të mirën e gjithmbarshme të kombit, për ecjen e tij përpara.

Sikurse në periudha të ndryshme historike, kur prijësit tonë u bënë bashkë dhe ndërtuan kalimin prej ndjenjës së fuqishme identitare te vetëdija e lartë kombëtare, jemi ne që tani duhet ta vazhdojmë jetësimin e idesë politike, në programe e politika zhvillimore, në aktivitete të përbashkëta edukative e arsimore.

Të nderuar të pranishëm,

Fati i shkollës shqipe ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit tonë. Raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik. Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejtë dashuria për kombin.

Sot, në gjirin e barazisë e të lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar, po fillon rrugën e dijes me Abetaren e Përbashkët Unike. Kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza, që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë.

Në ditë si këto, duhet kujtuar puna e sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve të pathyeshëm, albanologëve të pakompromis, studiuesve, mësimdhënësve e kontribuuesve të parezervë, grave e burrave, që në kohët më të vështira, e ruajtën gjuhën tonë shqipe, pasurinë tonë të përbashkët.

Të gjitha ato pena, që s’u shtjerren, po u kthyen në flakadan ndriçues të rrugës drejt dritës të diturisë. Nënat, që me ninullat e tyre, rritën fëmijët e tyre dhe gjuhën. Poetët që kënduan edhe kur jetonin me vdekjen. Heronjtë tanë që ranë, që ne të jetojmë ëndrrën e tyre të lirisë e të bashkimit.

Jam i lumtur andaj sot që kemi në duar këtë abetare, për të cilën u zotuam me marrëveshjen nga mbledhja e përbashkët e dy Qeverive tona në nëntor të vitit të kaluar.

Së bashku me institucionet e Republikës së Shqipërisë kemi përgatitur edhe tekstin e nivelit të parë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” dedikuar fëmijëve tanë në mërgatë, e që do të shpërndahet po ashtu gjatë këtij muaji shtator.

Qeveria jonë po punon në mbështetje të shqiptarëve kudo që janë, e këtë po e bëjmë në bashkërendim me Qeverinë e Shqipërisë. Sepse vetëm bashkë, krah për krah me njëri-tjetrin, mund t’i shtyjmë përpara interesat tona për zhvillim e përparim në çdo fushë.

Të dashur nxënës,

Fëmijëria është koha kur mbjellët edhe dija edhe morali, ngase mbresat e viteve të para të jetës janë të vetmet që koha nuk do të mund t’i zhdukë kurrë. Krahas dijes shkencore, në sofrën e mendjes suaj, shkolla do të shtrojë edhe edukimin vleror, që do të bëhet pjesë formuese shpirtërore e juaja, e shpresë për të ardhmen tonë.

Udha e shkronjave që na solli deri këtu është e gjatë dhe e vështirë.

U qoftë e mbarë rruga e diturisë, të gjithë juve, vajza e djem, që do të mësoni Abecenë nga ky libër, me përplot diell brenda fletave të tij.

Ju falemnderit!


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco