Vjosa Osmani qe 38 vjeçe, po në ç'moshë e morën postin 5 presidentët e tjerë?

Vjosa Osmani qe 38 vjeçe, po në ç'moshë e morën postin 5 presidentët e tjerë?

11:52, 17/05/2022

Kosovës i janë ndërruar gjashtë presidentë deri tani. Në krye të vendit, në periudha të ndryshme, kanë qenë: Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi dhe Presidentja aktuale, Vjosa Osmani. 

Osmani sot ka ditëlindjen, ka mbushur 40 vjeç ndërkohë që është zgjedhur pak pa i bërë 39 vjeçe.  Por, çfarë moshe kishin kur erdhën në krye të shtetit? Kush e mori pozitën në moshën 36-vjeçare e kush në gati të 60-at?

Gazeta Express shkruan se Atifete Jahjaga mbetet presidentja më e re që ka qenë në krye të vendit ndonjëherë. Jahjaga u zgjodh presidente në moshën 36-vjeçare. Ajo mori pozitën e të parës së shtetit më 7 prill të vitit 2011 dhe qëndroi në këtë pozitë deri kur i përfundoi mandate, më 6 prill 2016.

Image

Jahjaga, e cila më herët mbante pozitën e zëvendësdrejtores së përgjithshme të Policisë së Kosovës, ishte zgjedhur në postin e presidentes me 80 vota pro. Ajo ishte kandidatja e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së në bazë të marrëveshjes së arritur ndërmjet liderëve të këtyre tri partive politike, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher Dell. Jahjaga fitoi në rrethin e parë të votimit. Për kundërkandidate kishte ish-deputeten e AKR-së, Suzana Novobërdaliun, e cila mori vetëm 10 vota, përderisa 10 vota të tjera ishin të pavlefshme.

Dy vjet më e vjetër se Jahjaga, ishte Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, kur erdhi në këtë pozitë. Osmani erdhi në krye të vendit në moshën 38-vjeçare, rreth një muaj pa i bërë 39-vjet.

Osmani kishte fituar në raundin e tretë të votimit, ku kishin marrë pjesë 82 deputetë. Për kundërkandidat kishte ish-kandidatin për deputet nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Nasuf Bejtën, i cili nuk mori asnjë votë.

Image

Në këtë seancë nuk kishin marrë pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia kishte mundësuar ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.

Në moshë më të vjetër se Jahjaga e Osmani, ishte zgjedhur president Ibrahim Rugova. Presidenti Historik ishte zgjedhur në këtë pozitë për herë të parë në zgjedhjet e mbajtura më 24 maj 1992, në moshën 47-vjeçare. Ai ishte rizgjedhur në këtë pozitë sërish në moshën 54-vjeçare.

Image

Pas luftës, Rugova ishte zgjedhur president në moshën 58-vjeçare. Rugova ishte zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 , për t’u rizgjedhur edhe më 2004. Ai qëndroi në këtë pozitë deri kur vdiq, më 21 janar të vitit 2006.

Në moshën 47-vjeçare e ka marrë detyrën edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Ai u zgjodh president më 26 shkurt 2016, derisa detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës. Thaçi arriti të sigurojë votat për t’u zgjedhur president në rrethin e tretë të votimeve në Kuvend.

Zgjedhja e tij president u bë nën tensione politike, me gaz lotsjellës, përplasje të dhunshme në rrugë ndërmjet mbështetësve të opozitës dhe forcave të rendit.

Image

Thaçi tha dorëheqje nga pozita e Presidenti më 5 nëntor të vitit 2020, pasi iu konfirmua aktuakuza nga Gjykata Speciale.

Në moshë më të vjetër se Thaçi, e mori detyrën ish-presidenti Fatmir Sejdiu. Ai u zgjodh President i Kosovës kur ishte 54 vjeç. Ai ishte zgjedhur në këtë post pas tre raundesh të votimit, me 80 vota pro, 12 kundër dhe 17 abstenime.

Image

Sejdiu dha dorëheqje nga kjo pozitë më 27 shtator 2010, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konstatohej se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Presidenti më i vjetër që ka pasur Kosova ndonjëherë është Behgjet Pacolli. Ai u zgjodh në këtë pozitë kur ishte 59 vjeç.

Image

Pacolli u zgjodh president më 22 shkurt 2011, pas tre raundeve të votimit me 62 vota për. Ai qëndroi në këtë pozitë vetëm deri më 30 mars 2011, kur Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin, përmes së cilit e quajti vendimin për zgjedhjen e Pacollit jokushtetues./Gazeta Express

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco