Matematikat e mundshme të 14 nëntorit në Prishtinë

Matematikat e mundshme të 14 nëntorit në Prishtinë

10:52, 20/10/2021

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në Kosovë nuk rezultuan vendimtare për ta bërë secilën komunë me një “zot shtëpie”. Rrumbullak 21 komuna ndër to edhe qytete të mëdha, përfshirë kryeqendrën kosovare, Prishtinën shkuan në balotazh.

Gara e cila pritet të ketë finalen më 14 nëntor duket se do të jetë e “nxehtë” sidomos në kryqytet, shkruan Syri net Kosova. Në këtë garë dy personazhet kryesore, kandidati i LVV-së, Arben Vitia dhe ai i LDK-së, Përparim Rama po shihen të hapur për aleanca të mundshme.

Driton Vela njohës i politikës kosovare ka thënë në një prononcim për portalin se as Vitia e as Rama nuk njihen për militantizëm e konflikte, andaj nga ta pritet gatishmëri për të lidhur një rrugë të përbashkët me ndonjë parti tjetër.

“Nëse flasim për kuvendin komunal atëherë aty kemi fitore të VV me mbi 34% të votave, por kjo është e pamjaftueshme për ta arritur shumicën. Duke e ditur historinë e VV-së me partitë tjera opozitare dhe duke e pasur parasysh faktin që LDK është e dyta në kuvendin komunal do të jetë e paqartë deri në fund se si do të shkojnë aleancat. Sigurisht kjo do të varet edhe nga fituesi i betejës për të parin e qytetit. Arben Vitia, por edhe Përparim Rama janë kandidatë të cilët nuk janë të njohur për militantizëm dhe konflikte, prandaj të dytë i shoh si të aftë për të krijuar aleanca. Problemi me Përparim Ramen është një lloj distance me strukturat e partisë, prandaj në këtë aspekt duhet të punojë në vendosjen e autoritetit” është shprehur ai.

Vela e sheh kandidatin e LVV-së, Arben Vitinë si favorit për të triumfuar me betejën për të parin e Prishtinës.

“Sa i përket fituesit të betejës për të parin e Prishtinës, sigurisht që Arben Vitia është favorit, qoftë për distancën që e ka (13%), qoftë për faktin që zakonisht fituesi i raundit të parë del edhe fituesi përfundimtar i kësaj gare. Por Përparim Rama nuk është krejtesisht jashtë loje. Në LDK vërehet një optimizëm, i cili me gjasë buron nga fakti se i janë drojtur humbjes pa balotazh apo edhe daljes në vend të tretë (siç kanë parashikuar disa sondazhe)”, ka shtuar ai.

Tutje Vela si analizues statistikash ka treguar se nga të dhënat e terrenit shihet se lufta për udhëheqje me Prishtinën do të jetë e ashpër.

“Në anën tjetër të dhënat nga terreni tregojnë që VV është e bindur që nuk e ka maksimalizuar votën në raund të parë, që dmth se ata VV beson që ka ende kontingjent të votuesve e të cilët ndoshta nga komoditeti i fitorës nuk kanë dalur në votimin e të dielës së kaluar.  Përcaktues do të jenë votuesit e Uran Ismailit. Është e paqartë nga do të orientohen këta votues, sepse për dallim prej rasteve të mëparshme, një numër i madh i votuesve të kandidatit të PDK nuk janë homogjen dhe nuk janë militantë të partisë, prandaj vota e tyre nuk besoj që mund të orientohet nga qendra.E shoh një betejë të ashpër në terren për çdo votë, dhe në fakt kështu duhet të jetë, kandidatet duhet të jenë pranë qytetarit duke i dëgjuar hallet e tyre”, ka përfunduar ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Përparim Gruda ka thënë për Syri net Kosova se 14 nëntori do të jetë datë koalicionesh mes partive opozitare.

“Në rivotimin 14 nëntorit pritet të kemi koalicione të shumta mes partive opozitare dhe me pak mes tyre dhe partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Kjo për shkak se është VV-ja partia që duhet mundur dhe të gjitha partitë tjera opozitare ngritjen e tyre e shohin tek rënja e saj. Po ashtu, bashkëpunimi mes partive opozitare duket me i natyrshëm, ndërkohë që bashkëpunimi me VV-në do të ta delegjitimonte kritikën e mëpastajme ndaj VV-së në qeverinë qendrore”, është shprehur ai.

Sipas Grudës një bashkëdyzim pritet pikërisht në Prishtinë mes PDK-së dhe LDK-së, gjë kjo që sipas tij do të parandalonte rënien e tyre të vazhdueshme në vota.

“Në Prishtinë dhe Prizren pritet një koalicion mes PDK-së dhe LDK-së, pasi do të favorizonte shumë të dyja partitë. Nëse LDK merr Prishtinën dhe PDK Prizrenin, praktikisht të dyja do ta llogarisnin vetën fituese përball VV-së gjë që do të shënonte një pikë kthese për to sepse do të ndalonte rënjen e vazhdueshme në vota që kanë pasur viteve të fundit. Meqë partitë opozitare pritet të kenë koalicione të shumta në balotazh, VV do të mundohet që përfitoj nga, kjo duke paraqitur situatën sikur të gjithë janë kundër saj, duke provuar kështu të mobilizoj sa më shumë votuesit e saj”, ka përfunduar Gruda.

Ndërsa nga dy partitë si PDK e AAK janë shprehur ende të pavendosur për çështjen e koalcioneve.

“Sa i përket balotazhit, ne do t’i shqyrtojmë në kryesi dhe në këtë drejtim do të vendosim dhe kandidatët do ta pyesin kryetarin Haradinaj dhe me bindje të tyre në do të vendosim”, ka thënë Pal Lekaj.

“Nuk kemi marrë ende asnjë vendim. Komunat e ndryshme kanë specifika të ndryshme. Në disa komuna karakteri lokal është shumë më i fuqishëm se në disa komuna tjera” ka thënë Vlora Çitaku në një emision.

Kurse vetë, Përparim Rama është shprehur i bindur se të korr sukses më 14 nëntor.

Kujtojmë që sipas rezultateve preliminare, të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në raundin e parë janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave, ndërkaq në balotazh do të shkojnë 21 komuna. Qendrat e votimit në qytetet ku ndodhi balotazhi do të rihapen për qytetarët më 14 nëntor. /A.S

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco