Dr. Ademi: Ju që po bëni avokatinë e Djallit, ejani shiheni luftën mes jetës dhe vdekjes!

Dr. Ademi: Ju që po bëni avokatinë e Djallit, ejani shiheni luftën mes jetës dhe vdekjes!

08:13, 15/07/2020

Nga Dr. Arjan Ademi, Kosovë.

Ju dhe bash ju, që jeni duke bërë avokatinë e djallit me mosbesim e mosbindje, ejani kur të doni aty ku 24 orë në 7ditë të javës, ne “mantelbardhët” ballafaqohemi me luftën anti-COVID-19.

Ani, ju vazhdoni me tuajën e ne me tonën, ne me përkushtim, dije, profesionalizëm, mund e sakrificë vazhdojmë t'iu shërbejmë e t'iu dalim në ndihmë të gjithë të sëmurëve që për fatin e keq janë prekur nga kjo sëmundje virale.

Po ne vazhdojmë pa bukë e ujë me orë të tëra, pa pushim e pa gjumë, larg familjeve e me mall për ta, larg përqafimit të fëmijëve e pa llogaritur rrezikun për vete e për më të dashurit tanë, që na presin në shtëpi.

Ne, që me shpirt të thyer e me lot në sy, se edhe ne jemi nga mishi e gjaku, kur humbim ndonjë të sëmurë me të cilët tashmë jemi lidhur aq ngushtë si mishi me thonin, ne që çdo ditë ndajmë buzëqeshjen e gëzimin me ata të sëmurë që shërohen, ne që çdo ditë i japim informata familjarëve për gjendjen e rëndë të më të dashurëve të tyre e që me keqardhje jo rrallë detyrohemi t'iu japim lajmin e trishtë, familjarëve për humbje jete për të dashurit e tyre, ne dhe vetëm ne dimë t’ju flasim e t’ju tregojmë si është gjendja.

E ju që ende nuk po arrini ta bindni veten, ejani shiheni luftën në mes të jetës dhe vdekjes, ejani aty ku lotët e gëzimit e dhimbjes janë në një vend e do të bindeni për të heshtur e menduar me arsye të shëndoshë e për të reflektuar nëse sadopak u ka mbetur ndërgjegje.

Aman ejani e mandej dilni, shkruani e flisni, analizoni e banalizoni. Ejani se ndoshta ende jeni të verbuar nga klithmat e politikanëve, analistëve e banalistëve që s'e kanë haberin për këtë punë e të cilët i kanë pushtuar TV e rrjetet sociale, duke folur e duke mbjellë ankth, frikë, e të pavërteta.

E juve të dashur mos na shpallni heronj, se nuk është koha e as nuk po kërkojmë një gjë të tillë, ju vetëm na dëgjoni e respektoni këshillat e thirrjet tona për kujdes e maturi. Aman, ndaluni, mos bëni politikë me këtë sëmundje virale që e ka katandisur globin mbarë!
Ne nuk do të ndalemi deri në fund, me ndihmën e Zotit do t’ia dalim edhe kësaj here.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco