Në Kosovë nis hetimi, për çmimin e maskave!

Në Kosovë nis hetimi, për çmimin e maskave!

15:19, 27/02/2020

Autoriteti i Konkurrencës do të dërgojë gjatë ditës së sotme hetues nëpër barnatore, rreth rritjes së çmimit të maskave. Valon Prestreshi, drejtor i këtij autoriteti, ka thënë se janë marrë shumë ankesa nga qytetarët për rritjen e çmimit të maskave. Çmimi i një maske i cili fillimisht varionte 20 deri në 25 centë nëpër barnatoret e Kosovës tashmë është rritur në 2 dhe 3 euro. E nga Dogana e Kosovës kanë treguar se blerjen nga Kina kanë rënë për 50 për qind.

Në Kosovë  ende nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me virusin e ri, i cili ka marrë edhe emrin zyrtar COVID-19, e që besohet se e ka origjinën në Kinë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, qytetarët e Kosovës janë alarmuar javëve të fundit rreth përhapjes dhe pranisë së koronavirusit. Vetëm gjatë ditëve të fundit rreth dhjetë personave u janë bërë analizat me dyshimet për koronë.

E këtë panik janë duke e shfrytëzuar më së miri barnatoret që operojnë në Kosovë duke e rritur çmimin e tyre.

Valon Prestreshi, Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës  ka reaguar pas raportimit për rritjen e çmimit të maskave në Kosovë.

Perstreshi ka thënë se “Një rritje e kërkesës do të krijojë një rritje të çmimeve nëse furnizimi është afër konstantës”.

E sipas tij nëse të gjithë furnizuesit e maskave janë marrë vesh për rritjen e çmimit atëherë AKK do të nisë menjëherë hetimet e këtij fenomeni.

“Rreth ngritjes se Çmimit të Maskave. Koncepti i rritjes së çmimit kur rritet kërkesa është kur furnizimi është konstant apo i njëjtë. Nëse furnizimi është konstant apo i njëjtë një kërkesë e lartë lejon që të jetë një çmim më i lartë. Nëse të gjithë furnizuesit e Maskave, janë marrë vesh në mënyrë të shkruar apo të bashkërenduar për t’i caktuar apo fiksuar çmimet e këtij produkti, atëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës menjëherë do të filloj monitorimin/hetimin preliminar të këtij fenomeni. Fiksimi i çmimit, ua pa-mundëson konsumtarëve që të bëjnë përzgjedhjen e produktit sipas preferencave, gjithashtu ky lloj fiksimi nga këndvështrimi i politikave të konkurrencës konsiderohet “Kartel”, e që është një ndër format më të rënda të shkeljes së Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Çmimi i një maske i cili fillimisht varionte 20 deri në 25 centë nëpër barnatoret kosovare tashmë është rritur në 2 dhe 3 euro. Por edhe me këtë çmim maskat mbrojtëse për mbulimin e rrugëve të frymëmarrjes vështirë se po mund të gjinden nëpër barnatoret e Prishtinës.

Aktualisht, në shumë barnatore ka mungesë të maskave, të cilat po përdoren si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Frika nga koronavirusi ka ulur edhe blerjen që kanë bërë qytetartë e Kosovës në Kinë.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci ka thënë se ka rënie të madhe të porosive online.

“50 për qind më pak blerje online ka që nga paraqitja e Koronavirusit në Kinë”.

Stavileci  ka thënë se Koronavirusi nuk mund të merret përmes mallrave dhe se tashmë Agjencia e Veterinës ka kërkuar ndalim të disa produkteve që mund të jenë të rrezikshme.

“Ndalesat e importit nga Kina, tashmë i ka dërguar AVUK-u dhe ne kemi marrë masa menjëherë. Sidoqoftë niveli i importit është herët që të përcaktohet, meqë porositë nga Kina bëhen kryesisht deri në dy muaj më herët. Andaj efektet do të shihen më vonë”.

Kosova ka ndaluar mallrat që dyshohet se bartin koronavirusin e ri, Covid-19, të cilat kanë origjinën nga Kina, thonë zyrtarë të Doganave të Kosovës dhe Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).

Lamir Thaçi, zëdhënës në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës ka treguar se  produktet e vlerësuara si të rrezikshme për bartjen e virusit, janë ndaluar të importohen. Ai thotë se produktet të cilat janë ndaluar të hyjnë në Kosovë nga Kina, janë kryesisht prodhime me origjinë shtazore.

“AVUK prej momentit të parë të shfaqjes së koronavirusit në Kinë, ka ngritur nivelin e kontrollit dhe kemi identifikuar produktet që kanë qenë duke u importuar në Kosovë. Pra, bëhet fjalë për produkte me origjinë shtazore dhe nga të dhënat që ne posedojmë, kemi gjetur se në Kosovë importohej vetëm ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve. Ne kemi marrë masën e ndalesës për këtë produkt. Vetëm produktet me origjinë shtazore janë vlerësuar fillimisht si materie përmes së cilave mund të bartet ky virus dhe ndalesa është marrë me kohë”.

Zyrtarët nga institucionet shëndetësore në vend shprehen të bindur se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme për t’i dalë në ballë virusit kinez, koronavirus. Megjithatë ata nuk e mënjanojnë mundësinë që ky virus së shpejti të vijë në Kosovë.

Në anën tjetër, Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Arben Vitia, ka treguar se edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinë, “Adem Jashari”, i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të kontrolluar qytetarët që vijnë nga jashtë. Ai tha se në këtë aeroport ka staf shëndetësor.

“Plani strategjik është aprovuar javën e kaluar dhe qysh sot kemi filluar me takime, edhe natyrisht me veprimet të cilat ndërlidhen me ministritë e tjera. Jemi duke punuar që të ndërmerren të gjitha masat”, u shpreh ministri Vitia.

Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka filluar përgatitjet për mbrojtje nga koronavirusi. Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse tashmë ka bërë gati listën për furnizim me produkte që parandalojnë përhapjen e koronavirusit.

Pjesë e këtij komitetit janë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Ministria e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Klinika Infektive dhe zyrtarët e Doganës./Fatos Shala Monitor.al/.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco