Pjesëmarrje në grup terrorist/ Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tri grave kosovare

Pjesëmarrje në grup terrorist/ Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tri grave kosovare

21:36, 09/12/2019

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tri grave kosovare, të dyshuara për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Prokuroria njofton se të dyshuarat akuzohen për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, raporton Rel.

Të trija gratë akuzohen se pas arritjes në Siri kanë ndihmuar në logjistikë, luftimet e grupit militant, Shteti Islamik (IS).

“Duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik, (të akuzuarat) iu kanë ofruar shërbime logjistike anëtarëve meshkuj të familjes, të cilët aktivisht kanë luftuar, gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Në aktakuzë jepen detaje se si këto tri gra kishin vendosur që të udhëtonin për në shtetin e Sirisë ku qëllim kryesor kishin bashkimin me grupin militant Shteti Islamik (IS).

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurat M.T., V.T-D., dhe Sh.T., me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtarinë dhe qëllimet e saja”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Sipas aktakuzës bashkëshorti i të pandehurës M.T., kishte shkuar i pari në Siri, i cili pas qëndrimit disa muajsh ishte kthyer sërish në Kosovë dhe pastaj e tëre familja kishte vendosur që t’i bashkohej IS-it.

Një pjesë e familjes kishte udhëtuar me veturë nga Kosova drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit në Maqedoninë e Veriut prej nga me aeroplan kishte shkuar në Turqi.

“E pandehura V.T-D. me bashkëshortin e saj dhe vajzën e vogël, më 05 tetor 2014, përmes pikës kufitare Hani i Elezit, me veturë kanë dalë nga Kosova dhe kanë shkuar në Shkup, e nga Aeroporti i Shkupit me aeroplan për në Turqi dhe më pastaj në Siri”, thuhet në aktakuzë.

Rrugën drejt Sirisë pas pak kohës e kishin marrë edhe anëtarët e tjerë të familjes.

“E pandehura M.T. me bashkëshortin e saj më 04 nëntor 2014, në mënyrë të njëjtë kanë udhëtuar në Siri, kurse e pandehura Sh.T., nëna e të pandehurave M.T., V.T-D., më 21 shtator 2015, së bashku me dy djemtë e saj, përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka shkuar për në Turqi dhe nga Turqia në Siri”, thuhet në aktakuzë.

Pas disfatës së grupit militant Shteti Islamik (IS), tri gratë e akuzuara ishin detyruar që të dorëzohen te forcat kurde dhe më pas ishin deportuar në Kosovë më 24 maj të vitit 2019.

Në muajin prill të këtij viti institucionet e Kosovës kthyen nga Siria 110 kosovarë në mesin e tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco