Kush është Aleksandër Vuçiçi?

Kush është Aleksandër Vuçiçi?

08:00, 09/03/2019

Aleksandër Vuçiqi i ka humbur nervat. Për të të gjithë politikanët e Prishtinës janë bandë. Flet kështu adhuruesi i madh i çetnikëve, përgatitësi i gjenocidit në Srebrenicë dhe ultranacionalisti që kërkonte zhbërjen e shqiptarëve. Në vitin 2019 shqiptarët në Ballkan nuk i frikësohen klithmave të tij primitive. Çfarë kërkon ky? Gishtin e mesëm, së paku.

Nga Enver Robelli.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Në fillim të viteve ’90 ai ishte (dhe edhe sot është) adhurues i klubit të futbollit Cërvena Zvezda; Vuçiqi e nisi karrierën e simpatizantit të futbollit në folenë e Delije, grupit të fansave më barbarë serbë, që më vonë, të prirë nga Arkani, dogjën, vranë, prenë, grinë, plaçkitën kudo – nga Kroacia e Bosnja në Kosovë.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Kur Ratko Mlladiqi, Radovan Karagjiqi, Nikolla Koleviqi, Momçillo Krajishniku dhe Bilana Pllavshiqi filluan luftën në Bosnjë me qëllim që këtë republikë jugosllave t’ia bashkojnë Serbisë së Madhe, Vuçiqi menjëherë u angazhua si moderator e gazetar në një radio të Pale, në çerdhen e çetnikëve në Bosnjë, prej nga organizohej rrethimi dhe terrorizimi i Sarajevës.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Një radikal që nuk ia bartte vetëm birrat babës së tij politikë, Vojisllav Sheshelit. Kur Shesheli kërkonte që kroatëve t’u nxirren sytë me lugë të ndryshkura, Vuçiqi ishte në vijën e parë të frontit të propagandës për të nxitur urrejtje kundër kroatëve.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Ai ministri i Informatave i Sllobodan Millosheviqit që ndalonte gazeta, gjobiste gazeta opozitare serbe dhe Kohën Ditore në Prishtinë, kërcënonte gazetarë; gjatë sundimit të tij u vra një gazetar që ishte kritik i regjimit; gazetarë të tjerë humbën vendet e punës; Vuçiqi instaloi censurën.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Është ai politikani që më 1995 kërcënonte nga foltorja e parlamentit serb se serbët do të vrisnin 100 myslimanë të Bosnjës për një serb të vrarë. Në atë kohë, në korrik 1995, Serbia dhe serbët e Bosnjës po kryenin gjenocidin e parë në Europë pas gjenocidit të Adolf Hitlerit kundër hebrenjve. Krimet që i ka favorizuar partia e Vuçiqit janë kualifikuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi. Në rrethana normale një politikan si Vuçiqi do të dënohej me burg për nxitje të urrejtjes ndëretnike në Ballkan. Meqë nuk ka parime, ai është kanakar i Federica Mogherinit dhe Johannes Hahnit, dy komisarëve më të dobët, më cinikë, më të paaftë që Bashkimi Europian ka pasur që nga rënia e Murit të Berlinit.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Ai që me banditët e tij dëshironte ta «stoliste» një rrugë në Beograd me emrin e Ratko Mlladiqit, kriminelit serb të luftës, ndërkohë i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocidin në Srebrenicë dhe për shumë krime të tjera në Bosnjë.

Kush është Aleksandër Vuçiçi? Një përfaqësues i egër i politikës banditeske të Beogradit, një politikë që në çerekshekullin e fundit i ka shkaktuar aq shumë viktima popujve të Ballkanit dhe popullin serb e ka paralizuar dhe shndërruar në peng të një kusari. Në vitin 2019 shqiptarët në Ballkan nuk i frikësohen klithmave të tij primitive. Çfarë kërkon ky? Gishtin e mesëm, së paku./Dialogplus

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco