I qytetarëve apo i politikës / Qindra familjarë rahatohen në Telekom

I qytetarëve apo i politikës / Qindra familjarë rahatohen në Telekom

09:39, 22/02/2019

Telekomi i Kosovës viteve të fundit është bërë “çerdhe” e qindra personave. Të punësuarit janë kryesisht familjarë të personave në pushtet ose militantë partiak. E vetëm vitin që lamë pas, në listën e të punësuarve janë mbi 200 persona që kanë lidhje të drejtpërdrejta me politikën, raporton Syri.netKosova

Në këtë institucion së fundi e ka ‘rehatuar’ rejën e tij edhe Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës dhe Transportit.

Doruntina Gashi, e fejuara e djalit të Lekajt, Asdrenit nga viti i kaluar është pjesë e të punësuarave të Telekomit.

Edhe shefi i kabinetit të Pal Lekajt i ka bërë një vend pune gruas të tij.

Argjend Zejnaj që mban këtë pozitë ka punësuar në Telekom, gruan e tij, Albulenë Bekteshin. Ajo është gjithashtu vajza e ish-kandidates për anëtare të Kuvendit Komunal të Vitisë nga radhët e AAK-së, Fatime Bekteshi.

Edhe një shef tjetër i ka bërë gruas së tij vendin në Telekom.

Gani Demaj, shef i kabinetit të kryeministrit, Ramush Haradinaj e ka punësuar gruan e tij, Shyhrete Bajrami Demajn në këtë institucion.

E për fëmijët është kujdesur deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu. Ajo e ka punësuar në këtë institucion djalin e saj, Ilirianin.

Por Iliriani duket se këtë pozitë nuk e ka fituar vetëm në ‘krah’ të nënës së tij, ai del të jetë edhe simpatizant i AAK-së. Në rrjetin social Facebook, postimet në përkrahje të kësaj partie janë të shpeshta. E nuk mungojnë as fotografitë me vëllezërit Haradinaj.

Edhe ish kandidati për deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Shkëlzen Jusaj ka punësuar familjaren e tij, Yvesën.

Ndërsa vend vetes në Telekom i ka bërë anëtari i Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hajdar Sutaj. Por ai pas ka marrë edhe motrën, Albesën.

Ndryshe Hajdar Sutaj në vitin 2014 ka qenë edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAK-së.

Por duket që për të punësuar dikë në këtë institucion nuk duhet patjetër të jesh deputet apo ministër.

Edhe nëse mban pozitën e sigurimit mund t’u bësh zgjidhje familjarëve.

Kështu ka vepruar edhe Blerim Bajramaj, zyrtar i sigurimit të kryeministrit, Ramush Haradinaj.  Ai pjesë të Telekomit e ka bërë gruan e tij, Kujtesa Bajramajn.

Akil Govori i punësuar tjetër në Telekomin e Kosovës është militant i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Vetëm në profilin e tij në rrjetin social facebook ka shpërndarë më dhjetëra ngjarje që lidhen me AAK-në. E duket që Govori ka një ‘simpati’ të veçantë për deputetin e kësaj partie, Bekë Berisha.

Edhe Fidel Krasniqi në mars të vitit të kaluar është zgjedhur anëtar i Bordit të Telekomit të Kosovës.

Krasniqi në gusht të 2013-ës është anëtarësuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Atë dhe 9 anëtarë të tjerë AAK i kishte quajtur ekspertë të shquar.

Gjylfidale Sylaj e punësuar në Telekom është gjithashtu anëtare e AAK-së. Ajo madje ka qenë edhe kandidate për asamblenë komunale në Klinë nga kjo parti.

Binak Vishaj anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai ka qenë edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së.

Edhe Driton Bardheci i punësuar në Telekomin e Kosovës është kryetar i të rinjve të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës.

Bardheci është zgjedhur në këtë pozitë në qershor të vitit të kaluar.

E lista e përkrahësve të AAK-së që gjetën vend punë në Telekomin e Kosovës është e gjatë:

Albian Stublla, Alkena Dervishaj, Ardian Gaxha, Arsim Molliqaj, Armend Osaj, Betim Popaj, Edon Hysenaj, Elion Sylaj, Erza Osmani, Faton Lokaj, Faton Musa, Faton Demi, Fisnik Baqaj, Florent Smajlaj, Florim Turkaj, Liridona Dervishaj, Mërgim Mazrekaj, Muje Ahmetxhekaj, Pellazg Jakupi, Premtim Shala, Sabit Gashi, Shaban Ramaj, Shaqir Qerimi, Shkelzen Bazaj, Shkelzen Kida, Valon Hajdaraj.

Ndërsa arbresh.info ka gjetur gjithashtu katër të punësuar në Telekomin e Kosovës e që janë pjesë e PDK-së dhe NISMA-s.

Meriton Ismajli dhe Sead Ujkani janë përkrahës të PDK-së.

E Shekip Fazliu dhe Xhavit Visoka janë përkrahës të NISMA-s.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco