Mësimdhënësit e klasave 1 deri 5, të fyer nga Ligji për Paga

Mësimdhënësit e klasave 1 deri 5, të fyer nga Ligji për Paga

08:19, 19/02/2019

Përfaqësuesi i mësimdhënësve të klasave 1 deri 5, Xhavit Lani, ka thënë se mësimdhënësit e këtyre klasave ndihen të fyer me ndarjen që është bërë në Ligjin për Paga.

Sipas tij, ndarja që është bërë mes mësimdhënësve të klasave 1 deri 5 dhe atyre të klasave 6 deri 9 ka qenë e panevojshme.

Lani, që është kryetar i Këshillit Inicues për Peticionin e këtyre mësimdhënësve që Ligji për Paga të kthehet në Kuvend, ka thënë se marrëveshja që ka arritur SBASHK-u ishte bërë pa konsulta me të gjitha palët.

“Duke pa reagimet e vazhdueshme të mësimdhënësve, vendosëm që të bëjmë organizim të përbashkët duke mos etiketuar asnjërën palë, por duke shfaq pakënaqësinë. U mblodhëm dhe qamë hallet tona. Arsyet mbesin jetim se kush është fajtori. Fajtorë janë të gjithë ata që nuk ulen për të biseduar direkt me bazën. Ne nuk jemi pyetur asnjëherë për këtë çështje. Marrëveshja e fundit me SBASHK-un ka ndodh shumë shpejt dhe nuk është konsultuar baza. Kur ka filluar marrëveshja e fundit s’kemi pas informacione se çka do të ndodhë. Edhe Kuvendi i SBASHK-ut ndodhi shumë shpejt. S’di qysh erdhi te marrëveshja e fundit, sepse ne ishim të dalluar me koeficient, por nga klasa 1 deri në 9 ishin të përbashkët, ndërsa në fund u bë ndarja. Pakënaqësia jonë është me ndarjen e koeficientit mes klasave 1-5 dhe 6-9. S’duhet të ketë dallim, madje mësimdhënësit e klasave 1-5 kanë më shumë aktivitete, sepse një mësimdhënës i tillë ka nëntë lëndë i vetëm, ka përgjegjësi individuale me rreth 40 nxënës në një klasë”, ka thënë Lani për Interaktiv.

Sipas Lanit, një mësimdhënës i klasës së parë duhet të vlerësohet më shumë nga autoritetet. Ndarja që parasheh paga më të ulëta për mësimdhënësit e klasave 1 deri 5 është fyerje, sipas tij.

“Në klasën e parë fillon vlerësimi i fëmijës e të arriturave të tij. Ka qenë propozim të jetë nga një mësimdhënës për klasë nga klasa e parë deri te e pesta, por ne kemi vendos të bëjmë propozimin që mësimdhënësit që merren me klasën e parë të kenë koeficient më të lartë se tjerët sepse vetëm ai që punon me një fëmijë e di peshën e angazhimit për një orë mësimore me fëmijët që sapo janë ndarë nga prindërit e mbështeten tek ju. Këtu nis vlerësimi. Çdo aktivitet vlerësohet. Koeficienti mes mësimdhënësve të klasave 1-5, dhe atyre 6-9 është 0.15 dallim. Ne jemi 2.3 ata janë 2.45. S’është qëllimi te mjetet që ikin për 30-40 euro, por te fyerja. Ne nuk e dimë mbi çfarë kritere janë përcaktuar te kjo ndarje”, ka shtuar Lani.
Rreth 4000 nënshkrime janë mbledhur deri tash në peticionin e nisur nga këta mësimdhënës. Sipas Lanit, ai do t’iu dorëzohet të gjitha institucioneve dhe ka për qëllim që të kthejë Ligjin në Kuvend e të sqarohet arsyeja e ndarjes së koeficientëve. Lani ka thënë se numri i nënshkrimeve vetëm se do të rritet.

Lani më tej ka thënë se SBASHK-u nuk e ka pritur mirë iniciativën, por ka shtuar se kjo është normale.

“Kemi kontaktuar me SBASHK-un. S’ka qenë pritje e mirë, por pas sqarimit e panë që s’kemi qëllim të ndarjes së SBASHK-ut. Ata s’munden me e përkrah sepse bien në kundërshtim me veten sepse sapo e kanë nënshkruar kërkesën e tyre. Marrëveshjet që bëhen në orët e vona s’kanë kohë të shqyrtohen. Marrëveshja është lajmëruar që është arritur pasdite, kuvendi i SBASHK-ut u mbajt në orën 15:00. Aty kanë faj edhe përfaqësuesit sepse s’i kanë dhënë informacionet qysh ka pas kërkesa”, ka shtuar Lani.

Në fund Lani ka thënë se greva është hapi i fundit që e parashohin mësimdhënësit. Ai ka ftuar institucionet që të mos presin gjithnjë deri në hapin e fundit për të zgjidhur probleme të caktuara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco